Lajme

LVV tregon si do shpërndahet projektbuxheti i vitit të ardhshëm

Partia që udhëheq me ekzekutivin dhe legjislativin, Lëvizja Vetëvendosje ka dhënë detaje shtesë se ku do të shpërndahen mjetet e parapara në projektbugjetin e vitit të ardhshëm prej 3.2 miliardë eurosh.

Sektorët e shëndetësisë, arsimit, mbrojtjes e bujqësisë, do të vazhdojnë të mbesin prioritete të Qeverisë, ka shkruar partia që udhëhiqet nga kryeministri Kurti.

Prej buxhetit për vitin 2023, për sektorin e shëndetësisë janë parashikuar 356 milionë euro.

“Prej këtij buxheti, janë ndarë 296 milionë euro për sektorin e shëndetësisë në nivel qendror e lokal dhe 60 milionë euro janë për barna esenciale për t’u siguruar që spitalet, dhe qendrat e mjekësisë familjare, janë mirë të furnizuara për të ofruar shërbime ndaj qytetarëve. Për këtë po ashtu do të shtohen edhe 400 pozita: 100 në nivel qendror dhe 300 në nivel lokal”, ka shkruar Vetëvendosje.

Tutje bujqësia si prioritet, gjithashtu i deklaruar i Qeverisë, do të marrë 87 milionë euro.

“Sa i përket fushës së bujqësisë, për herë të parë në historinë e Republikës së Kosovës, buxheti për këtë fushë shkon në 87 milionë euro, që do të përkthehet direkt në ndihmën edhe më të madhe ndaj bujqve tanë dhe zhvillimin e këtij sektori jetik për vendin”.

Kurse për ushtrinë janë parashikuar 123 milionë euro për vitin 2023.

Qeveria këtë vit buxhetit të ushtrisë ia shtoi edhe 50 milionë euro, pas luftës që filloi në Ukrainë.

/Shqip.com