Lajme Botë

28-vjeçari shqiptar dyshohet se u vra nga vjehrri në Belgjikë, s’kishin marrëdhënie të mira

Foto e marrë nga mediat belge

Një shqiptar u gjet i vrarë mbrëmjen e së dielës në Diksmuide të Belgjikës.

I riu 28-vjeçar i identifikuar si I.S, u gjet i ekzekutuar me gjashtë plumba në mes të rrugës, pranë motorit të tij të parkuar.

Të hënën autoritetet policore arrestuan një të dyshuar, që siç shkruajnë mediat belge, është vjehrri i të riut shqiptar.

Tashmë 55-vjeçari është arrestuar dhe u dërgua para gjykatës pasditen e djeshme.

Avokati i tij kërkoi akte hetimore shtesë, duke përfshirë një analizë të gjurmëve të barutit dhe një analizë të pamjeve të kamerave.

“Kjo ka të bëjë kryesisht me imazhet nga kamerat ANPR dhe një hetim të mundshëm të lagjes në kamerat e personave privatë,” thotë Elyn. 

Vendi ku dyshohet të jetë kryer krimi

“Ajo analizë mund të zbulojë informacion shtesë për autorin, i cili ende nuk është identifikuar. Shpresoj se rezultatet do të jenë sa më shpejt të jetë e mundur në mënyrë që ata të luajnë në favor të tij.”

Dyshja duket se nuk kishin një marrëdhënie të mirë për shkak të “reputacionit” të dhëndrit të tij dhe personat me të cilët shoqërohej, shkruan media belge.

Mediat belge shkruajnë se shqiptari nuk ishte i martuar ligjërisht, por ishte në një marrëdhënie romance me vajzën e 54-vjeçarit.

Çifti kishin dy fëmijë, një fëmijë nga një lidhje e mëparshme e gruas, si dhe një vajzë 5-vjeçare, fryt i marrëdhënies së tyre.

Mbrëmjen e së dielës, autori i dyshuar rezulton se kishte pasur një debat me dhëndrin e tij pikërisht në vendin ku u gjet i vrarë.

Por 54-vjeçari para hetuesve pretendoi se I.S ishte gjallë kur u largua.

Përveç mosmarrëveshjeve mes dyshes, shkaqet e ngjarjes së rëndë për momentin mbeten të paqarta.

Sa i përket origjinës së shqiptarit ajo nuk specifikohet në mediat belge, por mësohet se 28-vjeçari jetonte prej kohësh në Koekelare./Shqip.com