Lajme

24-vjetori i çlirimit të Kosovës dhe mosprezenca e ambasadorëve të QUINT-it

Të hënën u shënua 24 vjetori i çlirimit të Kosovës, ndërkaq u organizua pritje shtetërore për korin diplomatik të akredituar në Kosovë dhe mysafirë tjerë.

Ajo çfarë u pa është se ndonëse ishin të ftuar, ambasadori i SHBA-s, Jeffrey Hovenier dhe ambasadorë të vendeve të QUINT-it nuk kanë marrë pjesë në pritjen shtetërore.

Në këtë ceremoni, janë parë vetëm ambasadorët e Zvicrës dhe Austrisë, si dhe komandanti i KFOR-it. Nuk kanë marr pjesë as opozita parlamentare, PDK, LDK dhe AAK.

Ndërkaq, lidhur me atë nëse kishte bojkotim të organizimit nga ambasadorët e vendeve të QUINT-it, ka reaguar Bekim Kupina, këshilltar për Media i presidentes Vjosa Osmani.

Këshilltari për Media i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina, ka deklaruar se nuk ka pasur bojkot të ceremonisë shtetërore.

“Të gjitha shtetet e QUINT-it i kanë pasur përfaqësuesit e tyre në ceremoni. Rrjedhimisht është e pavërtetë se ka pasur bojkot të ceremonisë shtetërore për 12 qershor”, ka deklaruar tutje Kupina.

E në organizimin për 24 vjetorin e çlirimit të vendit, presidentja e vendit, Vjosa Osmani deklaroi se më 12 qershor 1999, Kosova fitoi të drejtën thelbësore të ekzistencës e cila formoi identitetin dhe përmbushi aspiratën shekullore dhe përcaktoi fatin kolektiv.

Ajo theksoi se Dita e Paqes, që njihet edhe si Dita e Çlirimit është datë e rëndësishme në historinë e re të Kosovës.

“Kjo ditë shërben si një kujtesë e triumfit të shpirtit njerëzor mbi prangat dhe sakrificën e pareshtur për liri”, tha presidentja Osmani.

Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti deklaroi se 12 qershori është datë e rëndësishme që erdhi pas një përpjekje e lufte për çlirim, vetëvendosje e pavarësi.

Ai tha se shpërbërja e Jugosllavisë filloi në Kosovë dhe solli edhe fundin e okupimit të Serbisë.

Kurti u shpreh se demonstratat e studentëve e grevat e minatorëve u shndërruan në lëvizje popullore.

Në fjalën e tij, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, u shpreh se 12 qershori 1999, është ndër datat më të rëndësishme për popullin tonë.

“Përveç ditë e rëndësishme e çlirimit nga Serbia, kjo është ditë e falënderimit dhe kujtimit dhe reflektimit tonë”, tha kryeparlamentari Konjufca.

/Shqip.com