Kulturë

23 Prilli, Dita Botërore e Librit

Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Sot e gjithë bota nderon librin dhe krijuesin e tij, autorin. Në kohët e zhvillimeve të vrullshme teknologjike, ku kompjuteri, celulari dhe interneti janë lehtësisht të përdorshme nga cilido zotërues, i madh a i vogël qoftë, sfida e leximit të librit mbetet një nga sfidat e autorëve, botuesve dhe institucioneve që merren me të, por jo vetëm. E gjithë shoqëria duhet të reflektojë, pasi libri gjithnjë e më pak po lexohet, e edhe më pak po shitet.

E kjo ditë na fton të reflektojmë në qasjen tonë ndaj kësaj shpikje të hershme të njerëzimit, që ka transmetuar ndër shekuj dije e informacion nga brezi në brez.

Ideja për Ditën Botërore të Librit e ka origjinën e vet në Spanjë, në zonën e Katalonjës, ku atij që blinte një libër i dhurohej edhe një trëndafil. 23 prilli është shpallur si Dita Botërore e Librit më 15 nëntor 1995, me një rezolutë të UNESCO-s, pasi u morën në konsideratë faktet se libri ka qenë, historikisht, instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive dhe mjeti më efikas për të siguruar ruajtjen e këtyre njohurive, se çdo nismë për promovimin e librave të rinj është një faktor i pasurimit kulturor të një kombi.

Kjo është arsyeja, për të cilën kjo datë domethënëse për letërsinë universale është caktuar nga Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s për t’i bërë homazh botëror librit dhe autorëve të tij dhe për të inkurajuar të rinjtë që të zbulojnë kënaqësinë e të lexuarit, si edhe për të respektuar kontributin e pazëvendësueshëm, që kanë dhënë krijuesit për progresin social dhe atë kulturor.

Dita Ndërkombëtare e Librit dhe të Drejtave të Autorit është një datë me kuptim simbolik për letërsinë botërore. Me këtë datë të vitit 1616, lidhet vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore: Shekspirit në Angli dhe Miguel de Servantes Saavedra në Spanjë.

Shekspiri konsiderohet si shkrimtari më i madh i të gjitha kohëve dhe vendeve, ndërsa Miguel de Servantes është autori i veprës më të përkthyer në botë, “Don Kishotit”. Kjo datë lidh edhe autorë tjerë në ditën e lindjes a vdekjes së tyre: Inca Garcilasode la Vega, Maurice Dryon, Halldor Kiljan Laxness, Vladimir Nabokov, Josep Pla dhe Manuel Mejia Vallejo.

Kjo datë shënohet në të gjithë botën që nga viti 2003.

/Shqip.com