Lajme

21 vjet burgim për vjedhjen e Thesarit

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Labinot Gruda dhe Kadri Shala, për vjedhjen e 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë nga Thesari i Shtetit, duke i dënuar me 21 vite burgim dhe 41 mijë e 500 euro gjobë.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarve u shpall të mërkurën, nga gjykatësja Valbona Selimi-Musliu.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 12 tetor 2021, ka ngritur aktakuzë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë kundër të pandehurve Labinot Gruda dhe Kadri Shala, raporton Betimi për Drejtësi.

Në aktakuzë thuhet se Gruda, akuzohet për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Hyrja në sistemet kompjuterike”, “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes” dhe “Shpëlarje e parasë” lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e shpëlarjes së parasë dhe financimin e terrorizmit, në bashkëkryerje me të pandehurin Shala.

Ndërkaq, thuhet se Shala, akuzohet për veprat penale “Shpëlarje e parasë” lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes se Parasë dhe Financimin e Terrorizmit, në bashkëveprim me të pandehurin Gruda, dhe “Ndihma”, në ndërlidhje me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

/Shqip.com