Lajme

Sveçla: Provokimet e Serbisë ndaj shtetit të Kosovës nuk do të ndalen

Pavarësisht heqjes së bllokadës së rrugëve, situata në Kosovë vazhdon të jetë e vështirë.

Kështu ka deklaruar Sveçla në një intervistë për mediumin 20min.

“Jemi të bindur se provokimet e Serbisë ndaj shtetit të Kosovës nuk do të ndalen. Ne kemi parë një përzierje të veprimeve të ndryshme destabilizuese në katër komunat veriore gjatë ditëve të fundit nën ndikimin e drejtpërdrejtë të shtetit serb dhe presidentit Vuçiq”, thotë Sveçla.

Por për çka e ka fjalën Sveçla?

“Ndikimi erdhi në formën e mobilizimit, financimit dhe mbështetjes logjistike. Përveç kësaj, ishin forcat e armatosura serbe, të cilat ishin vendosur në kufi si kërcënim. Sigurisht që ka pasur ndikim edhe nga Rusia si dhe nga organizatat kriminale në rajon, të cilat për vite me radhë e kanë keqpërdorur veriun e Kosovës si pikë transporti për mallra, drogë, madje edhe njerëz dhe kanë mundur të nxjerrin fitime të mëdha. Të gjithë këta faktorë janë kombinuar për të destabilizuar jo vetëm veriun e Kosovës, por të gjithë vendin”, thotë Sveçla.

Por a kishte pritur Sveçla pushtim nga ana e Serbisë?

“Ishim dhe jemi të shqetësuar, por aspak të frikësuar. Analiza e situatës bazohet në fakte dhe arsye ekzistuese. Por skenarët e paarsyeshëm nuk mund të përjashtohen plotësisht. Aktualisht jemi dëshmitarë të një lufte në Evropë, në të cilën një despot ka ndjekur synime të errëta për Ukrainën dhe rajonin, duke kapërcyer vijat e kuqe që deri vonë dukeshin të paimagjinueshme”, thotë Sveçla.

A dëshiron Sveçla që palët ndërkombëtare të përfshihen më shumë në zgjidhjen e konfliktit të Kosovës veriore?

“Të jemi të qartë: Serbia nuk është palë e punëve të brendshme në Kosovë, por më së shumti agresore. Serbia është palë vetëm në diskutimin për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Vetëm autoritetet e Kosovës janë kompetente për çështjet që kanë të bëjnë me organizimin e brendshëm të Kosovës. Kjo bëhet në partneritet dhe në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar”, deklaron Sveçla.

Ne e dimë se qytetarët tanë në veri të Kosovës nuk e kanë të lehtë. Sepse ata janë nën presion të vazhdueshëm fizik, psikologjik dhe financiar nga organizatat kriminale të kontrolluara nga Beogradi, shton më tutje Sveçla.

/Shqip.com