Sport Shqiptar

2023-a, vit i mbrapshtë i Kosovës në futboll

FFK me Përfaqësuesen e Kosovës në futboll e kishin në plan kualifikimin në Euro 2024, por që ajo mbeti vetëm një dëshirë, pasi që “Dardanët” e mbyllën grupin në pozitën e pestë, që konsiderohet një dështim i madh duke i parë ambiciet.

Kosova kishte në grup me Zvicrën, Rumaninë, Izraelin, Bjellorusinë e Andorrën, ku shiheshin gjasat të mëdha për kualifikim, pasi vetëm zviceranët konsideroheshin më cilësor se Dardanët.

Ndeshja e parë, barazim me Izraelin në Tel Aviv, një rezultat i mirë, bazuar në kundërshtarin dhe mënyrën se si Kosova luajti.

Megjithatë, vetëm tri ditë me vonë, Dardanët barazuan me Andorrën në shtëpi 1-1, barazim që solli shumë zhgënjime, ndërsa gishtat filluan të drejtoheshin drejt përzgjedhësit Alian Giresse.

Tre muaj më vonë gjasat u shuan përfundimisht, pasi Kosova barazoi fillimisht me Rumaninë në “Fadil Vokrri”, pastaj humbi nga Bjellorusia, gjë që solli edhe shkarkimin e francezit nga detyra.

Legjenda francez konsiderohet si  dështim i madh, pasi që në drejtimin e Kosovës nuk solli as lojë, e as rezultati, duke ia shtuar edhe faktin që lojtarët në formë për mungesë minutash largoheshin. Mirlind Daku dhe Arbnor Muja, nuk konsideroheshin nga Giresse dhe u larguan drejt Shqipërisë, ku ndihmuan në suksesin e kësaj të fundit drejt Euro 2024.

Disa ditë më vonë, FFK për ndeshjet e mbetura e vendosi në krye të ekipit, trajneri slloven, Primoz Gliha, i cili ishte pjesë e federatës edhe më parë.

Slloveni e fillon aventurën e tij me Zvicrën, duke marrë një barazim 2-2 në minutat e fundit, me ekipin që dha sinjale pozitive, ndërsa tri ditë më vonë ‘finalja’ do të luhej në Bukuresht të Rumanisë.

Në një ndeshje aspak të lehtë, ku pati ndërprerje të gjatë prej afërsisht 50 minuta për shkak pankartave dhe thirrjeve “Kosova është Serbi”.

Kosova pëson 2-0 me golat që i pranon në fundin e takimit, ndërsa në mesin e lojës Vedat Muriqi ishte përjashtuar me karton të kuq.

Ndeshja e radhës ishte ajo ndaj Andorrës, të cilën Kosova e fiton 3-0, që ishte asgjë më shumë se një detyrë e kryer përballë një kundërshtari modest, ndërsa ndeshja ndaj Izraelit u shty për më vonë, pasi filloi lufta në Lindjen e Mesme mes Izraelit dhe Palestinës.

Ndeshja u luajt me 12 nëntor dhe Kosova fitoi 1-0 me një gol të shënuar nga Milot Rashica.

Befasisht, falë rezultateve të tjera, “Dardanët” ishin ende në garë për kualifikimin, por në këtë ndeshje lëndohet Vedat Muriqi, ndërsa para kësaj ndeshje Amir Rrahmani dhe Edon Zhegrova, nuk kishin ardhur.

Kosova do të luante ndaj Zvicrës dhe Bjellorusisë, pas fitores ndaj Izraelit.

Sidoqoftë, Kosova luan në Basel përballë Zvicrës me shumë mungesa, por në një ambient spektakolar me stadiumin e mbushur me shqiptarë.

Muhamet Hyseni që debutoi shënoi golin e barazimit 1-1, rezultat ky që nuk mjaftonte për t’u kualifikuar dhe përfundimisht edhe matematikisht Kosova ishte jashtë Euro 2024.

Në fund për të treguar se si shkuan këto kualifikime, Bjellorusia erdhi në Prishtinë dhe fiton 1-0, duke e lënë Kosovën në vendin e pestë në renditje.

Primoz Gliha që mori dy fitore, dy barazime dhe dy humbje u largua nga detyra, ndërsa për ta zëvendësuar shumë emra janë përmendur, mirëpo, siç duket deri më muajin shkurt të vitit të ardhshëm, nuk do të kemi përzgjedhës të ri.

Pra viti 2023 ishte një vit për tu harruar sa më parë për Kosovën dhe Dardanët. 

/Shqip.com