Kulturë

200-vjetori i ndarjes nga jeta i poetit anglez, Lord Bajron

Lord Bajroni / Shkrimtar
Lord Bajroni / Shkrimtar

200 vjet më parë ndahej nga jeta poeti romantik anglez, Xhorxh Gordon Bajron (1788-1824).

Bajroni lindi në Londër, më 22 janar 1788, në një familje aristokrate të varfëruar. Kur ishte dhjetë vjeç, me vdekjen e xhaxhait, Bajroni trashëgoi titullin Lord dhe pallatin e çifligun Newstead Abbey. Në Harrow studioi gjuhët greke e latine, historinë dhe letërsinë angleze. Në moshën 18 vjeçare, Bajroni hyri në Universitetin Kembrixhit (Trinity College). Më 1809 zuri vendin e tij në Dhomën e Lordëve, ku u shqua për idetë përparimtare. Po atë vit ndërmori një udhëtim nëpër Evropë. Gjatë vizitës së tij në Shqipërinë Jugore, e veçanërisht në Janinë, Lord Bajroni mori si kujtim nga ato vise një kostum tradicional shqiptar. Do të ishte pikërisht bukuria dhe e veçanta e këtij kostumi, që në verën e vitit 1813 do ta shtynin piktorin Thomas Philips që të realizonte portretin e famshëm të Lord Bajronit veshur me kostumin shqiptar, me titull “Portrait of a Nobleman in the dress of an Albanian” (Portret i një fisniku me veshje shqiptare). Portreti u vendos në Royal Academy dhe tani është i vendosur në ambasadën britanike në Athinë.

Midis veprave letrare të tij, një vend të rëndësishëm zë poema “Shtegtimi i Çajld Haroldit” (Childe Harold’s Pilgrimage, 1812-1817), shkruar në bazë të përshtypjeve nga udhëtimet të poetit në Spanjë, Greqi, Shqipëri, Zvicër, Itali etj. Poemën e përshkron patosi i luftës për liri të popujve të shtypur e të robëruar. Në të, Xhorxh Bajroni u këndoi traditave dhe zakoneve burrërrore të shqiptarëve, trimërisë dhe dashurisë së flaktë të tyre për lirinë.

Muzeu Historik Kombëtar sjell një pjesë nga letra dërguar nënës së tij në datën 12 nëntor 1809, ku midis të tjerash Bajroni shkruan: “…I dua shqiptarët shumë. Në udhëtimin që bëra, kam rojtur një herë dy ditë, dhe një herë tjetër tri ditë, në një kazermë shqiptarësh, dhe s’kam gjetur kurrë ushtarë aq të pëlqyer sa shqiptarët, ndonëse kam qenë në garnizonet e Gibraltarit e të Maltës, dhe kam parë shumica ushtarësh spanjollë, frengj, siçilianë dhe anglezë. Nuk më rodhën gjësendë, dhe më ftuan me gëzim të marr nga zahireja dhe nga qumështi i tyre…”

Në vitin 1823 Bajroni u nis për në Greqi ku u bë frymëzues i luftës për pavarësi kombëtare të Greqisë kundër turqve. Nuk arriti të shihte çlirimin e saj, sepse u sëmur nga ethet dhe vdiq në Mesolongj, më 19 prill 1824, në moshën 36-vjeçare. /atsh

/Shqip.com