Kulturë

20 vjet që kur ish-presidenti jugosllav Slobodan Millosheviç doli në gjyq për krime lufte

Më 12 shkurt 2002, ish-presidenti jugosllav Slobodan Millosheviç doli në gjyq në Hagë, me akuza për gjenocid dhe krime lufte në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë.

Millosheviç, i lindur më 20 gusht 1941, iu bashkua Partisë Komuniste në moshën 18 vjeçare.

Ai u bë president i Serbisë në vitin 1989.

Më 25 qershor 1991, Kroacia dhe Sllovenia shpallën pavarësinë e tyre nga Jugosllavia dhe Millosheviçi dërgoi tanket në kufirin slloven, duke shkaktuar një luftë të shkurtër që përfundoi me shkëputjen e Sllovenisë.

Në Kroaci, luftimet shpërthyen midis kroatëve dhe serbëve etnikë.

Serbia dërgoi armë dhe furnizime mjekësore për rebelët serbë në Kroaci.

Forcat kroate u përleshën me trupat e ushtrisë jugosllave të udhëhequr nga serbët dhe mbështetësit e tyre serbë.

Rreth 10 mijë njerëz u vranë dhe qindra qytete kroate u shkatërruan përpara se të vendosej një armëpushim i OKB-së në janar 1992.

Në mars, Bosnje-Hercegovina shpalli pavarësinë e saj dhe Millosheviçi financoi rebelimin e mëpasshëm serb të Bosnjës, duke filluar një luftë ku u vranë rreth 200 mijë njerëz, përpara se të arrihej një marrëveshje paqeje e ndërmjetësuar nga SHBA në Dejton, Ohio, në 1995.

Mes raporteve se Millosheviçi kishte nisur një fushatë spastrimi etnik kundër shqiptarëve etnikë të Kosovës, forcat e NATO-s filluan sulmet ajrore kundër Jugosllavisë në vitin 1999, shkruan History.

I pakualifikuar për të kandiduar për një mandat të tretë si president serb, Millosheviç e kishte bërë veten president të Jugosllavisë në vitin 1997. Pas humbjes së zgjedhjeve presidenciale në shtator 2000, ai refuzoi të pranonte humbjen derisa protestat masive e detyruan të jepte dorëheqjen muajin e ardhshëm.

Ai u akuzua për korrupsion dhe shpërdorim pushteti dhe më në fund iu dorëzua autoriteteve serbe më 1 prill 2001, pas një bllokimi 26 orësh.

Atë qershor, ai u ekstradua në Holandë dhe u padit nga një gjykatë e Kombeve të Bashkuara për krimet e luftës. Millosheviqi vdiq në qeli nga një atak në zemër para se të përfundonte gjyqi.

Në shkurt të vitit 2003, Serbia dhe Mali i Zi, zyrtarisht hoqën emrin Jugosllavi. Në qershor 2006, të dy vendet shpallën pavarësinë e tyre nga njëri-tjetri/Shqip.com