Lajme

20-vjeçari kosovar vritet në një pompë të benzinës në Zvicër

Pompa e benzinës ku u vra 20 vjeçari kosovar në Luzern

Një 20-vjeçar kosovar ka mbetur i vdekur të shtunën mrëma në një pompë të benzinës në Luzern të Zvicrës, pas një përleshje të ndodhur midis tij dhe disa personave, transmeton Shqip.com.

Sipas gazetës zvicerane “Blick.ch”, bëhet fjalë për Ardit N, i cili punonte si shofer i kamionit, ndërsa incidentin e ndodhur më 25 shtator e ka konfirmuar policia e kantonit të Luzernit.

Ardit N – 20 vjeçari i vrarë në një pompë të benzinës në Luzern të Zvicrës

Policia bën të ditur se në konflikt janë përdorur edhe gjësende të ndryshme, ku 20-vjeçari kosovar mbeti i vdekur në këtë përleshje, ndërsa disa persona të tjerë u dërguan në spitale, prej tyre edhe me lëndime të rënda.

Tutje organet e rendit theksojnë se në këtë përleshje ka pasur të përfshirë persona të disa nacionaliteteve si: Siria, Iraku, Maqedonia e Veriut dhe Zvicra.

Xhaxhai i të ndjerit Ali N, 49 vjeçar tha për gazetën se nuk mund të besojë atë se çka i ka ndodhur nipit të tij. Siç shpjegon ai, Arditi ka dashur që të dalë me shokët e tij dhe këtë ia kishte lejuar babai.

“Arditi nuk ishte dashur që të vonohej më shumë se në orën 23:00. Ashtu siç e kishte lejuar babai i tij”-shpjegon xhaxhai.

Xhaxhai i 20-vjeçarit kosovar të vdekur

Akoma janë të paqarta rrethanat se si ka ardhur deri te ngjarja tragjike.

Derisa rasti është ende nën hetime, në vendngjarje është konfiskuar një makinë e tipit “Mercedes” ngjyrë e bardhë. /Shqip.com