Lajme A po synon Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës largimin e një vale të re punëtorësh?

20 punëtorë të aeroportit rrezikohen të largohen nga puna, shkak përformanca

Aeroporti "Adem Jashari" në Prishtinë
Aeroporti "Adem Jashari" në Prishtinë

Florije Imeri – Mexhuani është një ndër 20 punëtorët që rrezikon të mbes pa punë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Më 15 prill 2022, Imeri-Mexhuani kishte pranuar një njoftim nga Drejtori i Burimeve Njerëzore, Basri Zuka ku thuhet se përformanca e saj është e dobët.

Përmes këtij dokumenti, ajo është paralajmëruar se në rast se nuk shënon progres në punë, atëherë pason largimi nga puna.

Imeri-Mexhuani e cila ka afro 20 vjet që punon si mirëmbajtëse e pastërtisë në aeroport, shprehet e indinjuar me vendimin e marrë ndaj saj.

Ajo, tha për Shqip.com se asnjëherë nuk i është nënshtruar ndonjë testi e as nuk ka marrë ndonjë paralajmërim se do t’i vlerësohet performanca.

Vendimi për performancë të pakënaqshme

“Asnjëherë nuk kam pas lajmërim paraprak për vlerësim të performancës. Unë punoj në mirëmbajtje që 20 vjet dhe kurrë s’e kam pas këtë performancë si qysh e kam tani. Performanca është bërë nga Remzie Selmani, menaxhere e sektorit të mirëmbajtjes. Nuk na ka lajmëruar paraprakisht se do të ketë vlerësim të performancës”, u shpreh ajo.

Ajo mohon të ketë pas tërheqje të vërejtjes nga eprorët e saj.

Imeri – Mexhuani thotë se së fundmi i është nënshtruar një operimi në zemër dhe me rekomandim të mjekut, ajo nuk mund të punojë në ndërrim të mbrëmjes.

“Unë jam operu në zemër, kam vu valvulë. Unë i kam tregu Basri Zukës se doktori personal më ka thënë që duhet të lirohem nga ndërrimi i natës. Tri herë i kam dërguar Zukës kërkesë për t’u ndërruar në orar por s’kam marrë përgjigje”, tha ajo.

Nga 746 të punësuar në këtë aeroport, 20 prej tyre rrezikojnë të humbin punën për shkak të përformancës së dobët të vlerësuar nga Menaxhmeti i Departamentit dhe i Njësisë.

Vlerësimi i performancës ishte bërë nga ky menaxhmet për sektorët Xray, mirëmbajtje, shef i ndërrimit dhe check in.

Punëtorët kishin treguar performancë të punës nën 50 për qind.

Latifi: Këto veprime janë hakmarrje ndaj punëtorëve grevistë

Në anën tjetër, kryetari i Sindikatës të punëtorëve të Aeroportit të Prishtinës, Bashkim Latifi, tha për Shqip.com se menaxhmeti po e bën këtë në shenjë hakmarrjeje ndaj punëtorëve grevistë.

Sipas Latifit, janë prekur vetëm punëtorët që kanë qenë pjesë e grevës në vitin 2019-të.

Nga kjo grevë, punëtorët kishin kërkuar kompensim dhe benifite tjera për rrezikshmërinë, eliminimin e dallimeve në paga, pagesa e përvojës së punës, orët e punës gjatë vikendeve të paguhen sipas ligjit të punës dhe pagesa e shujtës.

“Ju kanë hakmarrë punëtorëve me vlerësim të performancës edhe pse nuk kanë asnjë vërejtje gjatë një viti. Kemi pas punëtorë me COVID-19 dhe sëmundje tjera që kanë qenë në pushim mjekësor 6 muaj dhe atij i është bërë vlerësimi i performancës, gjë që është e pa logjikshme”, tha Latifi.

“Nuk ka pas kurrfarë testi as asnjë hiç. Veç në fund të vitit ju ka ardhur letra që ke performancë të dobët. Nuk ka pas lajmërim paraprak e as vërejtje”- shtoi Latifi.

Për këtë çështje, sindikata ka dërguar ankesë në Inspektoratin e Punës.

Në dokumentin e siguruar nga Shqip.com, inspektorati i ka dhënë pjesërisht të drejtë Sindikatës.

Në vendim thuhet se “punëdhënësi nuk ka të drejtë ta bëjë performancën e punëtorit por vetëm shefi i punëtorit dhe menaxheri i operatives”, ndërsa ka rekomanduar Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” që të ndërroj sistemin e vlerësimit të performancës.

Për këtë çështje, Shqip.com ka kërkuar përgjigje nga ANP “Adem Jashari”, por, deri në momentin e publikimit të lajmit nuk kanë dhënë asnjë përgjigje./Shqip.com