2 të vrarë nga konflikti mes dy familjeve në Roskovec të Fierit. Xhaxha e nip qëllohen me breshëri plumbash nga fqinji (FOTO)
Dy të vrarë është bilanci tragjik i një “grindjeje të momentit”, të ndodhur këtë të martë, në fshatin Kurjan të Roskovecit. Kështu të paktën ka deklaruar në polici autori i dyshuar i kësaj ngjarje të rëndë, Altin Kuka.
Në një deklaratë për mediat, kreu i policisë së Fierit, Shpëtim Hasanaliaj tha se pas vetëdorëzimit në polici, 49-vjeçari Kuka tha se e kishte kryer krimin për shkak të një konflikti të çastit që i biri kishte pasur me viktimat.
Gramos Kurtaj dhe Lavdimir Kurtaj, xhaxha e nip, u ekzekutuan me breshëri automatiku dhe gjetën vdekjen në vendin e ngjarjes.
“Rreth orës 14:00 në fshatin Kurjan ka ndodhur një ngjarje e rëndë kriminale, ku shtetasi Altin Kuka, banues në Fier dyshohet si autori i ngjarjes së ndodhur, duke vrarë me armë zjarri automatik dy shtetas, xhaxha dhe nip, të cilët kanë ndërruar jetë menjëherë në vendngjarje. Pas kryerjes së këtij akti kriminal shtetasi Altin Kuka është vetëdorëzuar në polici së bashku me armën e krimit. Dyshohet se ka ndodhur për motive të dobëta, për shkak të një grindje që ka ndodhur mes djalit të tij dhe dy viktimave”, tha Hasanaliaj.
/Shqip.com