Lajme

18 persona vriten nga shpërthimi në një xhami të Afganistanit

Luftëtarët talebanë bllokojnë një rrugë pas shpërthimit gjatë lutjeve të së premtes në xhaminë Gazargah, më e madhja në Herat [AFP]

Një shpërthim në xhaminë Guzargah, në qytetin e Heratit në Afganistanin perëndimor vrau Imamin pro-taleban Mujib Rahman Ansari, si dhe 17 civilë.

Siç raporton Al Jazeera, shpërthimi ndodhi gjatë namazit të drekës këtë të premte.

“Tetëmbëdhjetë persona ndërruan jetë në incident dhe 23 të tjerë u plagosën”, tha Hameedullah Motawakel, zëdhënës i guvernatorit të provincës Herat.

Sulmi mendohet të ketë qenë shpërthim vetëvrasës.

“Imam Mujib Rahman Ansari me disa nga rojet e tij dhe civilët janë vrarë gjatë rrugës për në xhami. Një person hodhi në erë veten teksa i puthte duart.”, tha zëdhënësi i policisë së Heratit, Mahmoud Rasooli. 

Zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid tha se autorët e sulmit do të ndëshkohen.

“Dijetari i fortë dhe i guximshëm fetar i vendit ndërroi jetë në një sulm brutal,” tha Mujahid në Twitter.

Imami i vrarë, Mujib Rahman Ansari kishte folur fuqishëm në mbrojtje të talebanëve në një mbledhje të madhe të mijëra dijetarëve të organizuar në fund të qershorit, duke dënuar këdo që qëndronte kundër tyre.

Imami i vrarë, Mujib Rahman Ansari

Ky është dijetari i dytë pro-taliban i vrarë në një shpërthim në më pak se një muaj, pasi Rahimullah Haqqani i cili vdiq në një sulm të ngjashëm vetëvrasës në medresenë e tij në Kabul. 

Haqqani ishte i njohur për fjalimet e zemëruara kundër grupit të armatosur (ISIS), i cili më vonë mori përgjegjësinë për vdekjen e tij.

Talebanët thonë se kanë përmirësuar sigurinë në vend që nga marrja e pushtetit afërsisht një vit më parë, por ka pasur disa shpërthime në muajt e fundit, disa prej tyre kanë ndodhur në xhamia në kohën e lutjeve.

Sulmet e mëparshme të xhamive janë marrë përsipër nga ISIS, i cili ka kryer një sërë sulmesh kundër pakicave fetare dhe etnike në Afganistan, si dhe objektivave talebane.

Xhamia e Heratit tërheq ndjekësit e islamit sunit, rryma dominuese në Afganistan që ndiqet edhe nga talebanët ndërkohë që ISIS, ka ndërmarrë disa sulme vetëvrasëse gjatë lutjeve të së premtes me fokus në shënjestrimin e myslimanëve shiitë./Shqip.com