Lajme

16-vjetori i Pavarësisë, Kosova bashkon politikën e Tiranës

“Gëzuar Pavarësinë Kosovë”, është ky urimi i bërë nga kryeministri Edi Rama në këtë 17 shkurt, 16-vjetor të Pavarësisë së Kosovës.

Bashkangjitur me urimin e tij, kreu i qeverisë ka postuar një foto ku shihet ushtria e Kosovës, e ndërsa në sfond është ish-presidenti, i ndjeri Ibrahim Rugova.

Presidenti Bajram Begaj e quan Kosovën histori suksesi në rajonin e Ballkanit.

“Kosova 16 vjet Republikë. Ajo sot është një histori suksesi në Ballkan në respektimin e të drejtave të njeriut, me kulturën e saj të gjallë dhe energjinë rinore të një populli që sheh përpara.

Kosova, shtet i pavarur, është një faktor pozitiv, paqedashës dhe i rëndësishëm për sigurinë në rajonin tonë.

Jemi dy shtete, por një komb me një gjuhë e një kulturë.

Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi të artë për të treguar se jemi të aftë të ndërtojmë shtete moderne sipas parimeve demokratike, në bashkëpunim e bashkërendim me partnerët tanë, SHBA-në dhe BE-në.

Gëzuar, Kosovë!”, thuhet në mesazhin e kreut të shtetit.

Urime nga pasur edhe nga opozita.

Teksa sjell kujtime nga lidhja e tij me Prishtinën zyrtare, ish-presidenti, Ilir Meta e quan Kosovën, kampione në zgjedhje të lira dhe demokraci funksionale.

“Kënaqësi të merrja pjesë në ceremoninë e organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës me rastin e Ditës të Pavarësisë. 17 Shkurti është një ditë shumë e rëndësishme jo vetëm për Kosovën dhe shqiptarët kudo në botë, por edhe për rajonin tonë, që ka përfituar më shumë stabilitet dhe siguri. Shteti më i ri në Ballkan në një kohë rekord është kthyer në një shembull për fqinjët për demokracinë funksionale dhe zgjedhjet e lira, përsparen trancën dhe luftën kundër korrupsionit, si edhe për politikat përfshirëse sociale.

I lumtur të isha pjesë e përpjekjeve për njohjen ndërkombëtare të çështjes të Kosovës në fillim të viteve ’90 në bashkëpunim me Presidentin Rugova dhe Qeverinë e tij të Bujar Bukoshit. Krenar të isha një mbështetës i palëkundur i UÇK, që në orët e para të saj. Të paharruara do të jenë emocionet e forta që përjetova si rrallëkush tjetër nga eksodi biblik, drama e madhe humanitare në Kukës dhe mbi të gjitha nga mikpritja e rrallë e kukësianëve që kurrë nuk mund të përshkruhet me fjalë.

Ndihem krenar që në çdo detyrë shtetërore që kam patur, mbrojtjen e interesit të Kosovës, e kam patur të parën. I lumtur t’i kundërvihesha projekteve tinzare për ndarjen dhe zhbërjen e Kosovës me duart e vetë shqipfolësve.

I lumtur të isha pjesë aktive e përpjekjeve të Qeverisë shqiptare për fitoren në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësise të Pavarësisë të Kosovës në vitin 2010. Kënaqësi e veçantë të shohim Kosovën të jetë sot kampione, jo vetëm në xhudo, por edhe në zgjedhje të lira dhe demokraci funksionale”, shkruan Meta.

Pavarësinë e Kosovës e quan pavarësinë e Kosovës si ngjarjen më të rëndësishme në historinë kombëtare të shqiptarëve.

”Gëzuar Pavarësinë Kosovë! 17 shkurti i vitit 2008 është padyshim një nga ngjarjet më të rëndësishme për shqiptarët që kurorëzon sakrificën shekullore të gjysmës së kombit për liri dhe pavarësi.

Në këtë ditë të çmuar kujtojmë me nderim dhe mirënjohje të thellë kombëtare komandantin legjendar të UÇK Adem Jasharin, arkitektin e Pavarësisë presidentin Ibrahim Rugova dhe mijëra bij e bija të Kosovës që sakrifikuan jetën e tyre për në altarin e lirisë së Kosovës.

Jemi krenarë për zhvillimin dhe progresin që Kosova ka arritur në këto 16 vite. Ajo sot ka ende sfida përpara, por jam i bindur se me vendosmërinë, përkushtimin dhe pjekurinë e lidershipit politik të Kosovës në bashkëpunim dhe me mbështetjen e partnerëve strategjikë, SHBA, BE, Britanisë së Madhe, do t’ia dalë me sukses për të ndërtuar një shtet të fortë, të zhvilluar dhe të integruar në institucionet ndërkombëtare dhe euroatlantike.

Kjo është një ditë shumë e veçantë edhe për mua personalisht dhe atë pjesë të familjes sime që si mijëra të tjera u dëbuan nga trojet e tyre. Jam i lumtur për çdo ditë që i’a kam dedikuar çështjes së Kosovës dhe falenderoj Zotin që ma ka dhënë mundësinë për ta bërë këtë edhe si një amanet i përcjellë brez pas brezi, sikundër sa të kem forcë dhe mundësi do të jem në krah të Kosovës për të ndihmuar në suksesin e saj.

Gëzuar Kosovë e shtrenjtë! Gëzuar shqiptarë kudo në botë!”, shprehet Basha.

Nga Partia Demokratike, është Gazment Bardhi, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, i cili pati një urim për të gjithë shqiptarët pavarësi e Kosovës.

Ai shkruan se Kosova është krenari e çdo shqiptari dhe burim shprese për triumfin e të drejtës mbi të keqen.

“16 vjet shtet. Një rrugëtim i ngritur mbi sakrifica. Kosova është krenari e çdo shqiptari dhe burim shprese për triumfin e të drejtës mbi të keqen. Krenar për çdo arritje dhe inkurajues për sfidat që e presin, për të cilat kam bindjen se do të realizohen falë mbështetjes së partnerëve strategjik. Gëzuar për çdo shqiptar”, shkruan Bardhi.

/Shqip.com