Lajme

16 vjet nga vdekja e Ibrahim Rugovës

Sot janë bërë 16 vjet nga vdekja e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Ai vdiq më 21 janar të vitit 2006, ku u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.

Funerali i Rugovës ishte njëri nga më të mëdhenjtë në historinë shqiptare. Ai u varros 5 ditë pas vdekjes, më 26 janar.

Në përvjetorin e 16-të të vdekjes do të bëhen homazhe te varri i tij në Velani. Ndërkaq, në orën 14:00 në Gjilan do të mbahet edhe një akademi përkujtimore.

Në përvjetorin e parë të vdekjes së Ibrahim Rugovës, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e dekoroi Rugovën me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës.

Rugova ishte Presidenti i parë i Republikës së Kosovës, duke shërbyer në vitet 1992–2000 dhe përsëri në vitet 2002–2006.

U lind më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut.

Më 10 janar 1945, komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugovën, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ibrahim Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi./SHQIP.com