Lajme

16 komuna pa noter, mijëra qytetarë detyrohen të kryejnë shërbimet në komunat tjera

Ilustrim

Mijëra qytetarë ka disa vjet që po përballen me shpenzime shtesë për vërtetimin e shumë dokumenteve.

Janë 16 komuna në të cilat nuk ka asnjë noter, e në ato komuna që kanë, nuk po mund t’u bëjnë hall kërkesave të shumta të qytetarëve si: Kamenica, Mamusha, Obiliqi, Malisheva, Kllokoti, Istogu, Rahoveci, Ranillugu, Parteshi, Juniku, Leposaviçi, Zveçani, Zubin Potoku, Skenderaj, Hani i Elezit dhe Kaçaniku.

E mungesa e një noteri ka sjellë shumë probleme për banorët e komunës së Skenderajt.

Qytetarët që kanë pasur nevojë për vërtetim të dokumenteve tek noteri, kanë treguar peripecitë me të cilat po përballen tash e shumë vjet.

Adresë për kryerjen e kësaj procedure për banorët e Skenderajt janë noterët që punojnë në komunën e Drenasit ose ata të Mitrovicës.

Gjatë vitit 2020 kam noterizuar disa dokumente që më janë dashtë për vizë të punës për Gjermani një nga ta edhe pasaporta. Jam detyru që nga Skenderaj me shku në Mitrovicë dhe Drenas për t’i kryer këto shërbime pasi tek ne nuk ka. Skenderaj është komunë që ka një numër të madhe të banorëve dhe është më së e nevojshme që të ketë noter, pasi ka qytetarë që nuk posedojnë as veturë dhe detyrohen me marrë taksi apo autobus, që me i kry shërbimet”, ka treguar një nga qytetarët e Skenderajt.

Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur për Shqip.com masat aktuale për tejkalimin e mungesës së noterëve në komuna.

“Lidhur me ofrimin e shërbimeve noteriale për këto komuna, Ministria e Drejtësisë ka autorizuar noter të caktuar për ofrimin e shërbimeve deri në kompletimin e shërbimit notarial”, thuhet në përgjigjën e MD-së.

Kjo ministri ka treguar për veprimet që ka ndërmarrë për të plotësuar numrin e noterëve në këto 16 komuna.

“Ky numër i noterëve nuk është mjaftueshëm i kënaqshëm për mbulimin e kërkesave qytetare për shërbime noteriale, megjithatë Ministria e Drejtësisë është duke ndërmarrë veprime që ofrojnë zgjidhje optimale, përkitazi me gjendjen ekzistuese, ashtu që noterët ekzistues do të obligohen të hapin zyra shtesë në së paku gjashtë komuna pa noterë, ku do të ofrohen shërbime noteriale së paku dy ditë gjatë një jave”.

Sipas të dhënave të Odës së Noterëve të Kosovës, në të gjithë vendin janë vetëm 52 noterë të licencuar.

Harta e noterëve në Kosovë

Situata me 16 komunat do të mund të ndryshoj për të mirë, pas aktvendimit të nxjerrë nga Gjykata e Apelit më 9 shkurt, e cila i hap mundësinë Ministrisë së Drejtësisë që të nis procesin e licencimit të noterëve që do të punojnë në këto komuna.

Gjykata e Apelit – Departamenti për Çështje Administrative, me aktvendimin AA.nr.744/2022, të datës 9 shkurt 2023, i ka refuzuar ankesat e paditësve F.D., V.D., V.H., M.K., Q.S., G.P., B.B., G.G., ndërsa i ka vërtetuar aktvendimet e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative A.nr.529/2020, të datës 24 dhe 28 qershor 2022, me të cilat është refuzuar si i pabazuar propozimi i paditësve për dhënien e aktgjykimit plotësues”, thuhet në njoftim.

Pas këtij veprimi, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar masa të menjëhershme.

Më në fund, pas gati 3 vitesh, përmbyllet procesi gjyqësor për Provimin e Noterisë çka i hapë rrugë shpalljes së konkursit për noterë”, ka thënë Haxhiu.

Më tutje ministrja e Drejtësisë është shprehur se brenda një kohe të shkurtër do të themelohet komisioni përgjegjës dhe do të shpallet konkurs për noterë.

/Shqip.com