Lajme Botë

155 persona janë lënduar pasi dy trena u përplasën në Barcelonë

Të paktën 155 persona janë lënduar pasi dy trena u përplasën në periferi të Barcelonës, thanë shërbimet e urgjencës.

Përplasja, e cila ndodhi rreth orës 07:50 ndodhi në një stacion në rajonin verilindor të Katalonisë të Spanjës.

Po ashtu u raportua se trenat po udhëtonin në të njëjtin drejtim dhe u përplasën ndërsa njëri ishte i parkuar në stacion. Policia katanase po heton se si ka ndodhur ngjarja.

Përplasja ndodhi në stacionin Montcada i Reixac – Manresa, rreth 12 km (7 milje) nga qendra e qytetit.

Zyrtari i shërbimeve të urgjencës, Joan Carles Gomez, u tha gazetarëve në vendngjarje se 155 persona ishin lënduar nga përplasja, me 14 pasagjerë të transferuar në një qendër mjekësore lokale për trajtim të mëtejshëm.

“Po flasim për shumë mavijosje dhe disa lëndime në kokë, por asgjë serioze”, tha ai, duke shtuar se pasagjerët po ekzaminohen për të “përjashtuar ndonjë frakturë”.

Gomez tha se treni po lëvizte “shumë ngadalë (kur ndodhi përplasja), por njerëzit që ishin në këmbë u rrëzuan dhe u lënduan, raporton BBC.

Një zëdhënës i shërbimit rajonal të zjarrfikësve tha se treni në lëvizje ishte përplasur me “pjesën e pasme” të një treni të palëvizshëm në stacion.

Trafiku i trenave u ndërpre për një kohë të shkurtër në disa linja për shkak të aksidentit.

/Shqip.com