Lajme

Haradinaj thotë se marrëveshja për energjinë e arritur në Bruksel nuk është e re

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka përshëndetur miratimin e udhërrëfyesit për zbatimin e marrëveshjeve për energjinë të arritur sot në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Haradinaj tha se kjo marrëveshje nuk është e re, pasi buron nga marrëveshjet e mëhershme të rregullimit të tregut të energjisë.

“Kjo marrëveshje nuk është e re, fillet e kësaj marrëveshje janë të hershme, burojnë edhe nga marrëveshjet e hershme, pra të rregullimit të tregut të energjisë, të rregullimit rajonal, por veçanërisht edhe nga pavarësimi i KOSTT Kosova, pra i fitimit të të drejtës për të qenë treg i drejt, i pavarur, ose treg i rregulluar nga Kosova, ashtu siç rregullohen edhe tregjet tjera me të drejta të barabarta. Bazuar në këtë të arritur të Kosovës, pra atë që e kemi quajtur si fitore ose pavarësim energjetik, kur KOSTT pra antarësohet në Entso-E, atëherë pra mund të themi se sovraniteti energjetik nuk preket, pra me marrëveshjen e sotme, njëkohësisht shumica e obligimeve nga kjo marrëveshje janë të njohura për Kosovën edhe më herët, pra burojnë siç e shihni edhe lidhen edhe thirren të arriturat energjetike” tha Haradinaj në “Rubikon”.

Megjithatë Haradinaj tha se kjo marrëveshje risi ka pikën e saj të gjashtë ku i jepet autoritet i shtuar Elektroserverit.

“Risi është pika gjashtë ku i jepet një autoritet i shtuar Elektroserverit për çështjen e investimeve dhe infrastrukturën e rrjetit, pra nuk e di si është rregullur kjo dhe deri në çfarë shkalle”, tha ai.

Lexo edhe:
Arrihet marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për energji elektrike

Theksojmë se më 21 qershor, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për energjinë elektrike.

Kjo marrëveshje mundëson faturimin e energjisë elektrike në 4 komunat veriore të Kosovës, sipas ligjeve dhe sistemit rregullativ të Kosovës.

Energjia elektrike

Çka përmban marrëveshja e arritur në Bruksel

Marrëveshja e nënshkruar nga ana e Kosovë dhe Serbisë përmban 9 pika.

Në pikën numër 1 thuhet se ZRRE do t’i lëshojë një licencë furnizimi Elektrosever. ZRRE do të sigurojë pajtueshmërinë me kushtet e përcaktuara me licencën e furnizimit, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës.

Në pikën numër dy të marrëveshjes thuhet se brenda shtatë ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektrosever do t’i sigurojë KEDS-it dhe KOSTT-it të dhënat më të fundit të disponueshme për konsumatorët, përmes BE-së.

Në pikën numër tre thuhet se Brenda 10 ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektrosever do të nënshkruajë marrëveshjet e nevojshme teknike me KOSTT-in dhe KEDS-in për të operuar në tregun e energjisë së Kosovës, gjegjësisht Marrëveshjen Kornizë për pranimin e rregullave të tregut të energjisë elektrike me KOSTT-in, Marrëveshjen për Detyrimin e Bilancit me KOSTT-in, Marrëveshjen e Kyçjes me KEDS-in dhe një marrëveshje komerciale me KEDS-in për ofrimin e shërbimeve të shpërndarjes (faturimi, arkëtimi, mirëmbajtja dhe kyçja fizike e konsumatorëve të rinj) në katër komunat veriore me shumicë serbe, sipas paragrafit 1 të nenit. 5 të Marrëveshjes 2013./Shqip.com