Lajme

15-vjetori i Pavarësisë, mërgimtarët ia mësyjnë vendlindjes për festë

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës "Adem Jashari"
Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës "Adem Jashari"

Numër i madh i mërgimtarëve po zbresin këtyre ditëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’.

Arsyeja kryesore e udhëtimit të tyre në vendlindje është përvjetori i 15-të i pavarësisë së Kosovës.

Ata shprehen të lumtur që u është dhënë mundësia për të ardhur dhe festuar me familjet këtë festë të madhe.

“Kemi ardhur edhe për pushime, por edhe për festën e Pavarësisë. Jemi të kënaqur me ndryshimet që janë bërë këto 15 vite, por duhet të punohet më shumë në infrastrukturë. Unë këtu jetojë në Istog edhe aty është mirë, por duhet të ketë edhe më shumë ndryshime” thotë një mërgimtar që kishte udhëtuar nga Zvicra për në vendlindje.

“Sa i përket këtyre 15 vite pavarësi, kemi ndryshime, por që duhet të kemi edhe më shumë ndryshime. Unë jetoj në Suharekë edhe aty ka ndryshime nga viti në vit”, thotë një tjetër qytetar.

“Unë vij nga Zvicra. Kosova ka pësuar shumë ndryshime, unë jetoj këtu në Podujevë. Ne që jetojmë jashtë, dallojmë më shumë se ata që jetojnë këtu për shumë gjëra, dallojmë për çështjet e sigurisë, arsimit, nëse këto nuk janë, tjetër nuk kanë çka të nevojiten”, thotë një mërgimtar tjetër.

“Kemi ardhur në Kosovë për pushime dhe për festë të Pavarësisë. Në këto 15 vite ka ndryshime, por mund të jetë edhe më mirë. Duhet të punojmë më shumë me rininë, duhet të krijohen më shumë vende pune, duhet të ketë ndryshime në sektorin e arsimit”, thotë qytetari që jeton dhe vepron në Bazel të Zvicrës.

“Po vijë nga Zvicra, ndryshime ka në këto 15 vite, ka ndryshime, po kënaqemi vetëm ndërtesa të reja po ka, të tjerat janë në rregull”.

Përkundër zhvillimeve, një qytetar nga Prishtina që kishte dalë të priste të bijën ka shqetësim të madh për ikjen e rinisë nga Kosova, duke bërë thirrje që të ndalohet largimi i tyre.

“Unë jam dal për të pritur vajzën nga Norvegjia, po vjen për Pavarësi. Para luftës, ka qenë më ndryshe, ndërsa tash kemi ndryshime, por jo sa duhet, papunësia është shumë e madhe, shumë të rinjtë po largohen nga vendi, ky është një problem shumë i madh”, thotë qytetari nga Prishtina.

Nga Aeroporti Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’, kanë thënë për Shqip.com se numri i mërgimtarëve që po vijnë në vendlindje është rritur.

“Vërehet një numër pak më i madh i udhëtimeve dhe shtimit të udhëtarëve, kjo pasi që pjesën më të madh të udhëtarëve tanë e përbën diaspora, prandaj shumica nga ata zgjedhin vendlindjen që të festojnë këtë festë. Krahasuar me vitet e kaluara, kemi ndryshim të numrit të fluturimeve. Këtë vit gjatë muajit janar kemi pasur 22% më shumë, ndërkaq për muajin shkurt në fund të muajit do t’i nxjerrim statistikat lidhur me numrin e udhëtimeve, mirëpo vërehet që kemi shtim të numrit krahasuar me vitet paraprake”, ka thënë zëdhënësja e aeroportit, Valentina Gara.

Pos përdorimit të aeroplanit për udhëtim drejtë Kosovës, shumë mërgimtarë ia kanë mësyrë vendlindjes për festën e Pavarësisë edhe përmes rrugëve tokësore me automjetet e tyre.

/Shqip.com