Lajme

144 vjet nga Lidhja e Prizrenit

Lidhja e Prizrenit

Sot në orët e parë të mësimit në të gjitha shkollat në Kosovë dhe në Shqipëri, i është dedikuar 144 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Ministrja e Arsimit në Kosovë, Arbërie Nagavci, deklaroi se është e lumtur që këtë vendim e kanë marrë bashkë me ministren e Arsimit të Shqipërisë, Evis Kushi, për t’ua mundësuar nxënësve tanë në të dyja vendet, që të flasin njëkohësisht për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.

“Kështu, ne po bartim së bashku te gjeneratat e reja veprën frymëzuese të intelektualëve dhe atdhetarëve të kohës dhe lavdinë e historisë shqiptare”, ka thënë ajo.

Ndryshe, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, sot ka mbushur 144 vjet, që kur me 10 qershor 1878 filloi organizimin dhe themelimin.

Lidhja e Prizrenit mbahet mend si një ndër Lidhjet më të organizuara politike gjithëkombëtare pas Lidhjes dhe themelimit të Kuvendit të Lezhës të marsit të vitit 1444.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit në historinë e popullit shqiptar të kohës së re, historikisht është tubimi më i rëndësishëm kombëtar shqiptar.