Lajme

14 maji, zgjedhjet ku asnjë i PD-së nuk mund të garojë

Selia e PD-së

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi sot se ndërsa drejtuesi i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nuk ka firmosur për të regjistruar PD-në në zgjedhjet lokale, PD-ja e vulës nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje.

Vendimi u njoftua në mbledhjen e sotme, e cila nisi që në orën 16.00 të pasdites. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi vendosi përfundimisht mos regjistrimin e Partise Demokratike në zgjedhjet e 14 majit.

Në fjalën e tij, Celibashi tha se pasi Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) nuk pranoi ankimimet e dy grupeve dhe se Lulzim Basha duhet të firmoste deklaratën solemne. Në mbrojtjen e tij, Sefa tha se kryetar i PD-së është Lulzim Basha sepse në listën e partive politike regjistrohen vetëm kryetarët që zgjidhjen, e jo dorëheqjet.

Nga ana tjetër, Ledio Nuraj juristi i kryedemokratit Sali Berisha në KQZ ka kërkuar që të regjistrohet PD-ja për zgjedhjet e 14 majit. Ai tha se KAS ka thënë që Celibashi nuk ka marrë një vendim për kërkesën e Berishës, por për Celibashin, kërkesa nuk legjitimohej.

Si përfundim, asnjë i PD-së nuk u regjistrua në zgjedhjet lokale. Duket se për Berishën zgjedhja është koalicioni që do të depozitojë nesër po në KQZ. Ende nuk dihet si do të jetë fati i PD-së së Bashës.

Reagimet lidhur me vendimin kanë nisur menjëherë. Berisha ende hesht, ndërsa nga ana e mbështetësve të Enkelejd Alibeajt kanë nisur ankesat. Për ta zgjidhje është ankimimi që mund të bëjnë në KAS.

/Shqip.com