Teknologji

12 startupe bëhen kohorta e pestë e Uplift Albania, akseleratorit të parë europian të Startupeve në Shqipëri

12 startupe nga industri si inteligjenca artificiale, financa, moda, agrikultura, e-commerce, turizmi, siguria kibernetike u përzgjodhën për t’u bërë pjesë e akseleratorit të parë Europian në Shqipëri Uplift Albania.

Më 12 Janar 2024, 20 startupe u ftuan në Selection Bootcamp për të garuar për një vend në kohortën e 5-të të Uplift Albania, një akselerator i cili përgjatë rrugëtimit të tij 5-vjeçar ka diplomuar 40 startupe.

Fuqizuar nga EU for Innovation, implementuar nga ICTSlab në kuadër të projektit “Qëndro” me mbështetjen e Qeverisë Italiane, UNICEF, Deloitte, SwissEP, Star Venture dhe aktorë të tjerë lokalë dhe të huaj, Uplift Albania përfaqëson një sfidë por edhe mundësi për 12 startupet e përzgjedhura të cilat do të kultivohen në një ambient kur vlerësojnë biznesin dhe testojnë produktin e tyre.

Mbajtur në ambientet e ICTSlab, Uplift Albania Selection Bootcamp pati të ftuar z. Eduard Shalsi, Kryetar i Komitetit Parlamentar për Ekonominë dhe Financën, z. Sebastian Berwagner, Drejtues i programit EU for Innovation dhe znj. Edina Kozma, zëvendës përfaqësuese e UNICEF Shqipëri të cilët përshëndetën aktivitetin.

Për të ndarë historinë e saj të suksesit, e ftuar ishte dhe znj. Briseida Gjoza, CEO e ConsciESG – një prej startupeve fituese të edicionit të kaluar të Uplift Albania. Suksesi i ConsciESG u afirmua me një investim mijëra dollarësh.

Partner drejtues i ICTSlab dhe bashkëthemelues i ICTSmedia, z. Kushtrim Shala e hapi Selection Bootcamp duke mbajtur një 1 minutë heshtje në nderim të sipërmarrësit të njohur z. Dritan Mezini i cili u nda nga jeta në mënyrë të papritur pak ditë më parë. Në fjalën e tij përshëndetëse, ai bëri një përshkrim të shkurtër të programit i cili u detajua më pas nga moderatorja e evenimentit znj. Arjola Pazaj.

Selection Bootcamp filloi me një prezantim 1 minutë të secili prej 20 startupeve pjesëmarrëse përpara të ftuarve dhe mentorëve. Më pas erdhi workshopi Lean Canvas drejtuar nga znj. Anila Golemi.

Menjëherë pas workshopit, startupet u mentoruan nga 15 ekspertë të fushave të ndryshme të cilët i asistuan për të krijuar një prezantim tërheqës. Selection Bootcamp u përmbyll me prezantimet e tyre 3-minutëshe përpara jurisë e cila përbëhej nga mentorët: Igor Magzov, Gent Selenica, Andreas Rugova, Reita Haçkaj, Cameron Price, Driton Musolli, Ravik Mima, Patrik Fetahaj, Tomi Kallanxhi, Mirela Kolli, Valer Pinderi, Fatjon Gjata, Arlind Haxhiaj, Eric Czuleger dhe Anila Golemi.

Beach Master, Future Block, Marigo, Dialogo AI, Nullius in Verba (Niv), Kungul app, Patoko, Cyber Morphosis, Rumio App, Altvista, UnyoCorp-Blite dhe GreenGuard ishin startupet të cilat u përzgjodhën për të ndjekur programin 3-mujor të Uplift Albania.

Uplift Albania është një program 3-mujor akselerimi i cili trajnon startupet në mënyrë intensive rreth modelit të biznesit, investimeve, rrjetëzimit, identitetit të markës, strategjive të shitjes dhe marketingut, aftësive prezantuese, zhvillimeve të tregut, markës tregtare dhe çështjeve ligjore dhe financave.

Edicioni i pestë priti aplikime deri më 4 Janar 2024 ku mbërritën 50 startupe dhe 72 bashkëthemelues ndërsa u vu re një pjesëmarrje e lartë e sipërmarrëseve femra.

Programi i akselerimit filloi po të njëjtën ditë që u mbajt Selection Bootcamp. E ashtuquajtur finalja e madhe e Uplift Albania, Demo-Day do të mbahet më 18 Prill 2024 ku startupet do të shpalosin të gjithë progresin e bërë gjatë programit dhe të garojnë për çmime në vlerën e 12,000 eurove.

4 startupe do të përzgjidhen për tu bërë pjesë e Bridge2EU, një udhëtim studimor 4-ditor që do të realizohet më 15-18 Maj 2024 në një vend të Bashkimit Europian. Kompanitë dhe startupet e përzgjedhura do të njihen me një ekosistem Europian inovacioni dhe sipërmarrjeje./ Marrë nga uplift.al

/Shqip.com