Lajme

12 ambasada të Kosovës mbesin pa diplomatë, flasin disa prej tyre që u shkarkuan

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës

12 ambasadorëve të Kosovës i është mbaruar misioni i punës në fund të gushtit, pasi që në qershor ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kishte marrë vendim për shkarkimin e tyre, përcjell Shqip.com.

Hajdin Abazi, ish-ambasadori i Kosovës në Australi, ka thënë se duke lënë zyrën nuk kishte kujt t’ia dorëzonte postin, pasi që nuk ishte emëruar askush që do e zëvendësonte.

“Prita deri në ora 17:00 me kohën e Australisë, dhe me kohën e Kosovës ora është 09:00. Askush nuk erdhi për të bërë pranim-dorëzimin në Ambasadën e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Abazi në Facebook.

Ndërkaq, ish-ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara, Avni Arifi, theksoi se detyrën e ka dorëzuar te sekretari i parë, Egzon Demiri, i cili do të jetë i ngarkuar i detyrës.

Ai tha se nuk dëshiron që të komentojë vendimin e Qeverisë që të zëvendësohen menjëherë me ambasadorë.

Sa i përket asaj se çfarë do të ndodhë me ambasadën pa një drejtues të ri, ai theksoi se procesi në Emirate i akreditimit të ambasadorit është i gjatë.

“Në rastin tim prej dërgimit të emrit tim në Emirate (23 Janar 2019) e deri në përgjigje pozitive nga vendi nikoqir kanë pas kaluar shtatë javë apo me 9 Mars. Kurse dorëzimi i kredencialeve që faktikisht është edhe zyrtarisht fillim i punës së ambasadorit ka ndodhur më 7 korrik. Sipas të gjitha gjasave këtë vit vështirë se do të ketë Kosova ambasadorë të kompletuar me të gjitha autorizimet”, ka thënë Arifi për Klan Kosovën.

Kurse, ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, që ishte në mesin e të shkarkuarve, këtë çështje e ka cilësuar si “skandal të Kosovës”.

“Mua me urdhëruan dhunshëm, përmes një vendimi të ardhur më 26 maj që ta liroj zyrën dhe ambasadën me 27 maj, pra për një ditë, pa asnjë vërejtje nga Kosova dhe asnjë vërejtje nga Maqedonia e Veriut”, ka thënë Dedaj.

Po ashtu, ai ka bërë të ditur se ka ngritur padi në Gjykatën e Prishtinës lidhur me këtë çështje.

“Për skandalin ndaj shkarkimit tim joligjor për një ditë, i kam njoftuar korin diplomatik, institucionet evropiane dhe ndërkombëtare, institucionin e Avokatit të Popullit si dhe përmes avokatit kam ushtruar padi në Gjykatën e Prishtinës, nëse institucionet e drejtësisë nuk veprojnë apo influencohen nga politika, do të kërkoj drejtësi ndërkombëtare deri në Gjykatën e Strasburgut”, ka thënë ai.

Ndërsa, ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, mosemërimin e ambasadorëve nga MPJD e ka quajtur si papërgjegjësi totale.

“Nga sot, shumica e Ambasadave të Republikës së Kosovës janë pa titullar. Pa shef misioni, dhe pa të ngarkuar me punë. Ka edhe ambasada të cilave u është vënë dryni. Kjo është papërgjegjësi totale ndaj shtetit. Kjo është suspendim i politikës së jashtme. Qeveria dhe Presidenca kanë pasur mjaftueshëm kohë që të përzgjedhin Ambasadorët”, ka thënë Çitaku për KK.

Përpos, Abazit, Dedajt e Arifit, përfundimin e misionit e kishin bërë të ditur edhe ambasadorët e tjerë me anë të rrjeteve sociale.

Ambasadorët e shkarkuar janë: Nait Hasani (Shqipëri), Arbër Vllahiu (Çeki), Lirim Grejqevci (Holandë), Shpend Kallaba (Hungari), Gëzim Kasapolli (Kroaci), Avni Kastrati (Slloveni), Gjergj Dedaj (Maqedoni e Veriut), Hajdin Abazi ( Australi), Ylber Hysa ( Mali i Zi), Avni Arifi (Emiratet e Bashkuara Arabe), Amir Ahmeti (Katar) dhe Beqë Cufaj (Gjermani). /Shqip.com