Lajme

102 kandidatë për anëtarë të Bordit të RTK-së do të intervistohen, Komisioni eliminon 30 të tjerë

Mbledhja e Komisionit për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të RTK-së.

Komisioni për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës, ka shqyrtuar të enjten listën e kandidatëve të propozuar, ku ka eliminuar 30 prej tyre për shkak se nuk i kanë plotësuar kriteret për aplikim, përcjell Shqip.com.

10 prej kandidatëve janë eliminuar për shkak se kanë arritur moshën e pensionimit, teksa ka pasur edhe të tillë që janë eliminuar pasi që nuk kanë plotësuar dokumentacionin e kërkuar.

Kurse, për intervistim për anëtarë të këtij Bordi do të ftohen 102 kandidatë që i kanë plotësuar kriteret, nga gjithsej 132 sa kanë aplikuar.

Kryetari i këtij Komisioni, Armend Zemaj, ka folur rreth procesit të eliminimit të disa kandidatëve për këtë pozitë.

“Sipas listës që e kemi, 10 kandidatë përjashtohen nga lista për shkak të pensionimit, me thënë të drejtën mua personalisht më vjen keq që kjo pikë është kështu, por kështu e kemi opinionin ligjor siç na është thënë edhe nga konkurset e fundit.

Dy kandidatë janë të komunitetit tjera jo shumicë, një kandidat nuk ka treguar nënshtetësi apo nuk ka paraqitur nënshtetësi të Kosovës dhe nuk ka paraqitur asnjë aplikacion sipas kushteve të konkursit edhe pse i është dhënë afat dhe tre kandidatë janë evidentuar në kundërshtim me nenin 27 të Ligjit për RTK-në. Nga të gjitha aplikimet 30 persona nuk ftohen për intervistim për arsye të ndryshme të cilat bien në kundërshtim me ligjin dhe procedurat e konkursit”, tha Zemaj.

Anëtarët e Komisionit kanë diskutuar nëse duhet të vazhdohet tutje me procedura për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit, përderisa ka një ankesë në Gjykatë Kushtetuese rreth shkarkimit të anëtarëve të Bordit të RTK-së nga Kuvendi i Kosovës.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, tha se ka dilema nëse duhet të vazhdohet tutje me këtë proces derisa Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë vendim për pezullimin e vendimit të shkarkimit të Bordit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbyesve Civil.

“Përderisa kemi një ankimim nga AAK-ja për vendimin e shkarkimit të Bordit të RTK-së, çka nëse gjykata na sjell një vendim, çka nëse ne kemi një vendim të gjykatës, të cilin nuk dua ta paragjykoj, por cili do të jetë roli i këtij komisioni dhe si do të veprojmë ne në rast se kemi precedentë të njëjtë”, tha Deliu.

Anëtarët e Komisionit janë dakorduar që intervistimi i çdo kandidati të zgjasë 20 minuta dhe që pyetjet të jenë të njëjta./SHQIP.com