Lajme

10 vjet nga lirimi i Ramush Haradinajt

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj

Sot janë bërë dhjetë vite që nga koha kur Gjykata e Hagës liroi si të pafajshëm Ramush Haradinajn.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se 17 nëntor 2004 është ftuar për herë të parë nga kjo Gjykatë, por lënda e tij u kthye në rigjykim pas disa vitesh.

“Të dashur qytetarë, sot për mua është një datë e rëndësishme, është përvjetori i lirisë sime, por edhe i vulosjes së pastërtisë së luftës sonë çlirimtare. Edhe pse çlirimtar, luftëtar për liri në tokën time, më 17 nëntor 2004 jam ftuar për herë të parë për intervistim nga Gjykata e Hagës. Që nga ajo ditë e deri më 29 nëntor 2012 ka zgjatur ndjekja ligjore ndaj meje. Edhe pse në aktgjykimin e parë jam liruar si i pafajshëm, pas disa viteve jam ftuar për herë të dytë në rigjykim”, shkroi Haradinaj.

Haradinaj tha se lufta për pafajësinë e tij zgjati po aq sa lufta për liri.

“Përfundimisht, sot para 10 viteve, mora aktvendimin e pafajësisë. Lufta për pafajësinë time zgjati po aq sa zgjati lufta për liri. Falënderoj gjithë ata që nuk humbën besimin në mua dhe në pafajësinë time, e mu gjenden pranë në të gjitha mënyrat”.

Haradinaj ishte akuzuar për krime lufte që supozohej se ishin kryer gjatë kohës sa ishte komandant i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër forcave ushtarake dhe paraushtarake serbe gjatë viteve 1998-1999. 

/Shqip.com