Lajme

10 pikat e Kurtit, ndër to shtimi i moshave të reja në parti dhe hapja e qendrave të reja në diasporë

Kryetari i LVV-së, Albin Kurti

Albin Kurti ka shpallur kandidaturën e tij për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje edhe për një mandat katërvjeçar

Kurti, para simpatizantëve të partisë shpalosi planin e tij për udhëheqje të cilin e ka bazuar në dhjetë pika.

Ndër pikat për të cilat kërkon Kurti përkushtim janë shtimi I qendrave të VV-së në mërgatë dhe përgatitja e platformës politike për zgjedhjet qendrore.

Duke qenë se Kosova ka një popullësi të përbërë nga mosha e re, Kurti ka shprehur vision që të rritë numrin e anëtarëve të moshave të reja.

“1. Rritja e numrit të anëtarëve të moshave të reja, 2. Rritja e anëtarësimit së vajzave dhe grave, 3. Krijimi i kohezionit midis brezave dhe grupeve shoqërore e botëkuptimore, 4. Forcimi i shkollës politike dhe dimensionit ekzekutiv të saj, 5. Promovimi i organizmit sindikal në sektorin privat, 6. Përgatitja e burimeve njerëzore dhe programore për zgjedhjet lokale 2025, 7. Përgatitja e platformës politike për mandatin e dytë të qeverisjes, 8. Rritja e rrjetit të qendrave të Lëvizjes Vetëvendosje në mërgatë, 9. Angazhimi i studentëve dhe pensionistëve në organizatën politike të Lëvizjes dhe 10. Bashkëpunimi ndërkombëtarë dhe ai jashtë shtetit e brenda kombit tonë”, tha Kurti.

Albin Kurti gjatë shpalosjes së platformës për kryetar të VV-së

Po ashtu, kryeministri i vendit përmendi edhe ardhjen në pushtet duke shtuar se kishte ulje e ngritje.

“Siç e dini kjo është hera e parë që unë vij për të kërkuar besimin tuaj për t’u rizgjedhur në krye të Organizatës sonë duke qenë njëkohësisht Kryeministër i Kosovës. Në tetor të vitit 2019 dolëm të parët për herë të parë, në shkurt të vitit 2021 u bëmë shumicë për herë të parë e këtë të premte bëhen 1 vit e gjysmë që jemi në drejtimin e Republikës së Kosovës. Periudha nga fitorja plebishitare e 14 shkurtit e deri më sot ka qenë e mbushur me sfida por edhe me suksese”, shtoi ai.

“Përgjatë kësaj periudhe e dini se u dashtë të përballemi edhe me sfida që pakkush mund t’i parashikonte, në këtë mes vecohen pandemia COVID-19 dhe agresioni ushtarak rus në Ukrainë që shkaktoi krizë energjetike e ekonomike, pa harruar edhe ndryshimet evidente klimatike”.

Theksojmë se zgjedhjet për kryetar të LVV-së, do të mbahen të dielën e 25 shtatorit./Shqip.com