Lajme

1 miliard e 330 milionë euro ka grumbulluar Dogana e Kosovës këtë vit

Dogana e Kosovës.

Dogana e Kosovës gjatë vitit 2021 ka grumbulluar 1 miliard e 330 milionë euro, ka bërë të ditur zëdhënësi i këtij institucioni, Adriatik Stavileci.

Sipas tij, viti që po lëmë pas ka qenë një nga më të suksesshmit për Doganën e Kosovës që nga themelimi i saj.

Në Klan Kosova, Stavileci ka thënë se kanë shënuar rritje për 30 për qind apo 330 milionë euro më shumë se vitet e kaluara.

Ndërsa, ka bërë të ditur se eksporti ka shënuar rekord rritjeje me 700 milionë euro ose 60 për qind më shumë se vitin e kaluar.

“Eksporti kosovar është rritur mjaft shumë dhe presim që ky vit të përmbyllet me 700 milionë euro mallra të eksportuara, pra me 60 për qind rritje”.

“Viteve të kaluara kemi eksportuar rreth 350 deri në 400 milionë euro, derisa këtë vit shënon rekordin e kemi kaluar gjysmë miliardin”, ka shtuar ai.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci

Sipas Stavilecit, në eksport edhe në import duhet të lëvdohet jo vetëm performanca e doganës, por edhe e ekonomisë, pasi dogana nuk mund të mbledhë taksa dhe as eksporti nuk mund të rritet nëse ekonomia nuk funksionon ashtu siç duhet.

“Kemi pasur performancë të rritur të prodhuesve kosovarë që kanë eksportuar mallrat e tyre duke filluar prej vendeve të rajonit, te Bashkimi Evropian dhe në ShBA”, ka vazhduar ai.

Mes tjerash, Stavileci ka bërë të ditur se kanë ulur mundësinë e kontrabandimit, duke shtuar se domosdoshmërish kjo dukuri zvogëlohet kur të hyrat rriten.

“Domosdoshmërish kontrabanda ulet kur të hyrat rriten, sepse i mundëson biznesit legjitime të funksionojnë. Kontrabandimi i produkteve nuk e dëmton buxhetin e Kosovës më shumë sesa e dëmton ekonominë”./SHQIP.com