Lajme

​Komisioni për të pagjeturit demanton pohimet për kthimin e eshtrave të Ukshin Hotit në Kosovë

Ukshin Hoti
Ukshin Hoti

Komisioni për të pagjeturit ka demantuar lajmin e publikuar të hënën në media, se “eshtrat e Ukshin Hotit do të kthehen në Kosovë”.

Në media është raportuar se tashmë është arritur akordim që eshtrat e intelektualit dhe ish-profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe filozofisë në Universitetin e Prishtinës, të kthehen në Kosovë.

Por, ky lajm është demantuar nga Kushtrim Gara, udhëheqës i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.

“Ju lutemi kujdes, me lajme të tilla, për hir të familjes Hoti dhe gjithë familjarëve të personave të zhdukur me forcë, që edhe 22 vjet pas lufte vazhdojnë të jetojnë me dhimbjen dhe ankthin e pritjes për të mësuar të vërtetën për më të dashurit e tyre të zhdukur dhunshëm”, ka shkruar Gara në profilin e tij në Facebook.

Më tej ka thënë se “lajme të tilla, krahas shkaktimit të dhimbjes së familjeve, dëmtojnë rëndë procesin e ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur”.

Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit i gatshëm t'i bashkohet delegacionit  në bisedime | Ekonomia Online
Kushtrim Gara, udhëheqës i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur

Ukshin Hoti është zhdukur që nga lufta e fundit në Kosovë dhe tash e kësaj dite nuk dihet asgjë për fatin e tij./SHQIP.com