Lajme

Zyra e Kryeministrit: U diskutua për propozimin evropian, pakicat dhe njohjet

Zyra e shefit të Qeverisë së Kosovës ka dhënë detaje për takimin mbi dy orësh të mbajtur mes kryeministrit Albin Kurti me përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák, këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, z. Jens Plötner dhe z. Emmanuel Bonne, këshilltarin diplomatik të Kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, Francesco Maria Talò dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

“Për më shumë se dy orë u diskutua për propozimin evropian, të cilën Kryeministri Kurti e vlerëson si bazë të mirë për diskutim të mëtejshëm për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke në qendër. U diskutua edhe për të drejtat e pakicave, për çka kryeministri ka shprehur konsideratën edhe në kornizën e përgjithshme për marrëveshje të propozuar nga vetë ai me 18 gushtit 2022 në Bruksel. Kryeministri Kurti, ndër të tjerash, theksoi nevojën e Kosovës për njohjen nga shtetet mosnjohëse dhe anëtarësimin në organizata kyçe ndërkombëtare dhe trans-atlantike”, thuhet në njoftim.

Lexo edhe:
Përfundon takimi i emisarëve me kryeministrin Kurti, Lajçak: Ishte i gjatë, por jo i lehtë

Në këtë takim është diskutuar edhe për situatën aktuale në vend dhe aplikimin e Kosovë në Këshillin e Evropës në maj të vitit të kaluar dhe në Bashkimin Evropian në dhjetor.

/Shqip.com