Lajme

Zyba: Në mbledhjen e radhës do të diskutojmë për publikimet e Shqip.com – do ftojmë dikë edhe dikë nga AKI

Nënkryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, Salih Zyba

Zëvendëskryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Salih Zyba, thotë se në mbledhjen e radhës do të diskutohen me prioritet përgjimet e publikuara nga Shqip.com.

Zyba thotë se në mbledhjen e parë të këtij komisioni do ta ftojnë një person kompetent nga AKI për të raportuar.

Edhe pse ky komision ka mbajtur mbledhjen përmbyllëse të këtij sezoni, Zyba në një prononcim për Gazetën Shqip.com thotë se çështjet e ndjeshme si kjo e publikimeve– në të cilën përmendet edhe AKI si institucion, mund të mbledhë sërish deputetët që e përbëjnë Komisionin për Mbikëqyrje të kësaj agjencie.

“Ne kemi bërë një diskutim të brendshëm dhe jemi duke e shqyrtuar si mundësi pasi që obligim e ka kryetarja e komisionit sa i përket çështjeve jashtë planifikimit, ndërsa në mundësitë e radhës pra në mbledhjen e parë do të diskutojmë dhe do ta ftojmë personin kompetent por tashmë jemi në fazën e diskutimit dhe shqyrtimit të këtyre publikimeve që kanë ndodhur tashmë”, ka thënë Zyba.

“Mbledhja e fundit është konsideruar si përmbyllje e sezonit, por për shkak të situatës e konsiderojmë se mund të mbahet një mbledhje e mundshme, por nuk e kemi ftu as mbledhjen – pra diskutimi ka qenë i brendshëm por njëherë po e shikojmë mundësinë për të parë ende vlefshmërinë e këtyre përgjimeve, pra jemi në fazën kur po e shohim këtë shqetësim të bazuar, por jo të vërtetuar”, shtoi ai.

Se sa është urgjent ky diskutim, Zyba thotë se ky vlerësim bëhet nga kryetarja e komisionit, Ganimete Musliu, por sipas tij nuk mund të shmanget mbledhja e mundshme për arsye se është mbyllur sezoni.

“Konsiderojmë që përveç neve që jemi kompetent për të bërë diskutimin mes mbledhjeve të rregullta, organet e tjera duhet t’i vërtetojnë ose të hedhin dritë mbi to, pra se sa është urgjent ky diskutim do të shohim gjatë ditëve në vijim, përndryshe nuk mund t’ju shmangim ne këtyre debateve e kësaj teme. Jemi përgjegjës për të marrë përgjegjësi edhe në shqyrtim por nuk jemi duke i paraprirë ne vërtetimit të këtyre dokumenteve, por nuk mund ta shmangim edhe mbledhjen e mundshme edhe pse e kemi mbyllur sezonin”, thotë Zyba.

Në publikimin e dosjes së parë të serisë “Inteligjenca e Zhvatjes” të premten e 30 korrikut, shfaqen disa incizime, në të cilat përfshihet zyrtarë të lartë, mes tyre bënte pjesë edhe prokurorja e krimeve të rënda në Prishtinë, Shemsije Asllani.

Përfshirje në raste për të ushtruar ndikimin, shfrytëzim i pozitës për të ndikuar në përzgjedhjen e të tjerëve dhe favore në raste të caktuara, janë vetëm disa nga shkeljet ligjore që zbulohen nga biseda telefonike, përgjimin e së cilës e ka siguruar Shqip.com

Së fundmi, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar fillimin e hetimeve për Prokuroren Asllani, pas publikimit të Dosjes “Inteligjenca e Zhvatjes” nga Gazeta Online Shqip.com.

“Do të merren veprime hetimore kundër të gjithë personave të apostrofuar në incizimet e publikuara këto ditë në mediat online”, kanë bërë të ditur burimet e “Betimit për Drejtësi” brenda prokurorisë. /Shqip.com