ZRRE e konfirmon pranimin e vendimit të Apelit, thonë se do të ndërrmarrin veprime ligjore për zbatim

Zyra e Rregullatorit për Energji ka pranuar vendimin e Gjykatës së Apelit e cila ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për bllokimin e tarifave të shtrenjta të energjisë elektrike të vendosura nga ZRRE duke refuzuar kështu ankesën e këtij institucioni si të pabazuar.
Nga ZRRE kanë deklaruar se brenda afateve ligjore do të ndërmarrin veprime për zbatimin e këtij aktvendimi.
“Ju njoftojmë që sot, pasdite, ZRrE e ka pranuar Aktvendimin e Gjykatës së Apelit dhe brenda afateve të përcaktuara ligjore, do të ndërmarrë veprime për zbatimin e k ëtij aktvendimi”, thuhet në përgjigjen e ZRRE’së.
Theksojmë se Apeli e ka cilësuar si të pabazuar ankesën e të paditurës ZREE-së.
“Refuzohet si e pabazuar ankesa e të paditurës –kundërpropozueses ZRRE, e datës 26.04.2022, ndërsa Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë –Departamenti për Çështje Administrative i datës 08.04.2022, vërtetohet”, thuhet në vendimin e Apelit.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 8 prill 2022 kishte aprovuar si të bazuar propozimin e paditëses/ propozueses Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe kishte pezulluar vendimin e ZRRE-së për tarifat e reja për energji elektrike.
Paraprakisht, ZRRE-ja më 9 shkurt 2022 kishte miratuar tarifat e reja për energji elektrike./SHQIP.com