Zjarri në Tetovë, Filipçe: S’jap dorëheqje deri sa të mbarojnë hetimet

Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Venko Filipçe, deklaroi të enjten se nuk do të japë dorëheqje deri sa të mbarojnë hetimet lidhur me zjarrin që kaploi të mërkurën mbrëma spitalin COVID në Tetovë.
Në konferencën e tij të parë për media pas këtij incidenti ku mbetën të vdekur 14 persona, Filipçe i është përgjigjur thirrjeve për dorëheqje, duke thënë se po pret të përfundojnë hetimet.
“Sot në shumë media kishte thirrje për dorëheqjen time, më lejoni që të them se nga përgjegjësia as kam ikur e as do të ikë, por do të pres që të përfundoj hetimi. Për shkak se edhe në këtë periudhë ka nevojë për menaxhimin e një pjese të krizës, posaçërisht për pacientët e Tetovës, lidhur me atë që ndërlidhet me obduksionin”.
“Dhe pas mbarimit të hetimit do ta sjell këtë vendim nëse do të jap dorëheqje. Është e vështirë të përshkruhet me fjalë barra dhe dhimbja që e ndjej, bashkëndjej dhimbjen me familjarët e viktimave, por megjithatë do të pres përfundimin e hetimeve”- është shprehur ai.
Ndryshe, spitali i cili mori flakë gjatë së mërkurës në Tetovë, ku 14 persona kanë mbetur të vdekur, kishte pasur defekte edhe përgjatë muajve të kaluar. Në gusht iu kishin dëmtuar tubat e oksigjenit dhe të ajrit të kondensuar, derisa në prill ishte raportuar se janë konfirmuar gabime gjatë ndërtimit të tij./SHQIP.com