Zjarri në ishullin e Sazanit, Meta kërkon angazhimin e flotës ajrore

Përhapja e zjarrit në zonën e Vlorës, saktësisht në Ishullin e Sazanit, ka bërë që, Ilir Meta, të kërkoj angazhimin e plotë të strukturave vendore dhe qendrore për lokalizimin dhe fikjen e tyre në kohë sa më të shkurtër.
Meta përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se është duke i ndjekur me vëmendje situatën e përhapjes së zjarreve.
“Duke vlerësuar parashikimet e Institutit të Gjeoshkencës për një verë të nxehtë, me temperatura shumë të larta, bëj thirrje për vënien në gatishmëri të strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme dhe Bashkive në të gjithë Shqipërinë, për mbrojtën civile, sidomos për angazhimin e flotës ajrore, për ndërhyrjen nga ajri për fikjen e vatrave të zjarrit në zona ku është e pamundur ndërhyrja në rrugë tokësore, siç është rasti i Ishullit të Sazanit”, ka shkruar Meta.
Ai gjithashtu ka thënë se i nxistë strukturat e pushtetit vendor për shtimin e vrojtuesve për të informuar në kohë dhe mbajtjen në gatishmëri të strukturave operacionale, për ndërhyrje të menjëhershme në përballimin e situatave të zjarrit gjatë muajve të verës.
“I ftoj të gjithë qytetarët për të kontribuar me informacione të shpejta në të gjithë territorin e vendit për çdo rast zjarri të konstatuar, në mënyrë që strukturat përgjegjëse të angazhohen në kohën e duhur për izolimin dhe shuarjen e tyre”, ka shkruar Meta./Shqip.com