Zija Çela, shkrimtari më i mirë i vitit 2022

Në përfundim të edicionit të 25 të panairit të librit, juria shpërndau 5 çmime për shkrimtarë e përkthyes. Për vitin 2022 shkrimtari më i mirë i vitit u vlerësua autori Zija Çela, me veprën “Bankave e Ankesave”.
Juria e panairit të librit e vlerësoi shkrimtarin për identifikimin e shpirtit njerëzor në veprën e tij dhe tjetërsimin e fytyrës së vdekjes dhe dashurisë.
Shkrimtari Zija Çela nuk i fshehu dot emocionet teksa falënderoi jurinë për vlerësimin. “Shumë fuqi me gëzu nuk kam, por gëzoj shumë për këtë çmim. Zija Çela është gardian i vetes dhe unë i mbaj çelësat e qelisë time këtu (tregon xhepin) dhe në vend ta hap derën rri brenda”, ka than ai.
Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, Romeo Çollaku u vlerësua me titullin përkthimi më i mirë i vitit, për veprën “Varfanjaku i zotit” nga Niko Kazanzaqis.
Pas politikës duket se Arben Imamit, po i ecën mbarë në letërsi. Ai u vlerësua për veprën më të mirë studimore, me titull “Tri format e mendimit”.
Për lexuesit e vegjël, shkrimtarja Natasha Shuteriqi mori titullin e cmimit të letërsisë për fëmijë.
Për disa vite ambasada franceze ka dhënë çmime për veprat e përkthyera nga frëngjishtja. Këtë vit ky titull ju dha Klarita Lagjit si përkthyesja e veprës “Vendi i Babait” Annie Arnaux.
Në jurinë e panairit, ishin shkrimtari dhe përkthyesi Virgjil Muçi, poetja Vjola Isufaj, poeti dhe gazetari Aleksander Çipa, përkthyesja Alina Karaulli, dhe studiuesi i letërsisë AgimBaçi.
Jurisë ju deshën një muaj punë për shqyrtimin e veprave të 59 autorëve shqiptarë dhe 50 të huajve.
Fituesit
- Shkrimtari më i mirë i vitit: Zija Çela me librin: “Banka e Ankesave”;
- Përkthimi më i mirë i vitit “Varfanjaku i Zotit” I Nikos Kazanxaqis Romeo Çollaku shtëpi botuese “Dukagjini”;
- Vepra më e mirë studimore “Tri format e mendimit, mitologjia, racionaliteti, religjioni” Arben Imami;
- Përkthimi më i mirë nga frëngjishtja: Klarita Lagji “Vendi i Babait” Annie Ernaux, si dhe;
- Libri më i mirë për fëmijë: “Kalendari i ëndrrave të mollës” Natasha Shuteriqi
/Shqip.com