Zemaj: Qeveria po i trajton profesionistët shëndetësor me lëmosh, 108 prej tyre kanë ikur nga vendi

Ish-ministri i Shëndetësisë dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka thënë se Qeveria po vazhdon t’i trajtojë profesionistët shëndetësor me lëmosh.
Përmes një postimi në Facebook, Zemaj ka thënë se vetëm në dy muajt e fundit 108 profesionistë shëndetësor kanë lënë vendin. Në mesin e tyre edhe 36 specializantë.
“Paaftësia qeverisëse dhe mashtrimi i lë qytetarët pa shërbime shëndetësore. Është kjo Qeveri që profesionistët shëndetësor vazhdon t’i trajtoj me lëmoshë, gjersa vetëm për dy muaj 108 profesionistë shëndetësorë kanë lënë vendin, ndër ta edhe 36 specializantë”, shkroi Zemaj.
Zemaj përmend mosvazhdimin e kontratave të më shumë se një mijë pjesëtarëve të stafit mbështetës si dhe listat e gjata të pritjës së pacientëve për të marrë shërbime shëndetësore.

“Është kjo Qeveri që javë më parë nuk ua vazhdoi kontratat mbi 1,200 pjesëtarëve të stafit mbështetës në luftën kundër pandemisë. Në vetëm këto javë të kësaj Qeverie, janë stërzgjatur listat e pritjes së qytetarëve për të marrë shërbimet shëndetësore, duke mbërritur deri në mesin e vitit 2023”.
Zemaj tha se ka mungesë të barnave esenciale.
“Në vetëm këto javë të kësaj Qeverie, vazhdon mungesa e barnave në listën esenciale e cila tashmë është bërë e zakonshme dhe e tmerrshme për pacientet. Në vetëm këto javë të kësaj Qeverie, si shumë medikamente të tjera, po mungon edhe medikamenti “Pembrolizumab” e që janë esenciale për pacientet të sëmurë me kancer, ndërsa pritja për ti marrë është nën mëshirën selektive të përzgjedhjes”.
Kurse, sipas të gjeturave e Institutit Demokratik të Kosovës, Ministria e Shëndetësisë paguan 280 për qind më shtrenjtë për 1 gr paracetamol, gjë të cilën e përmendi Zemaj.
Tutje, Zemaj tha se si parti opozitare kanë ofruar Ligjin për Shëndetësinë, në mënyrë që t’ju dalin në mbrojtje qytetarëve dhe profesionistëve shëndetësor, ndërsa si kundërpërgjigje kanë marrë padëgjueshmërinë./Shqip.com