Zëdhënësja e LDK-së, Halimi: Gazetarët po sulmohen nga pushteti

Zëdhënësja politike e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit ka kritikuar partinë në pushtet.
Halimi thotë se gazetarët janë të ekspozuar ndaj sulmeve e kërcënimeve nga pushteti.
“Mediat e gazetarët në vendin tonë, fatkeqësisht çdo ditë përballen me mjedis armiqësor, sulme e kërcënime. Këtë fakt edhe më shqetësuese e bënë kur këto sulme vijnë nga pushteti. Organizatat ndërkombëtare si dhe Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, kanë ngritur shqetësimet e tyre rreth lirisë së shtypit në Kosovë, duke potencuar se gazetarët po përballen me kërcënime e frikësim gjatë ushtrimit të punës së tyre”, ka shkruar Halimi në “Facebook”.
Ndërsa, ka shtuar se të gjithë duhet të “angazhohemi fuqishëm në respektimin dhe vlerësimin e kësaj lirie, si një nga shtyllat kryesore për një demokraci të mirëfilltë”.
“Ditët si kjo t`na shërbejnë si çast reflektimi për krijimin e sigurisë së gazetarëve e ngritjen e vetëdijes së të gjithëve karshi rolit të rëndësishëm që kanë gazetarët në vendin tone”, përfundon Halimi.
Sipas Indeksit të Lirisë së Shtypit Botëror, i publikuar nga organizata Reporterët pa Kufij, Kosova ka shënuar përparim sa i përket lirisë së mediave.
Në këtë indeks, Kosova sivjet radhitet në pozitën e 61-të, në krahasim me pozitën e 78-të, që ka mbajtur në vitin 2021.
“Përkundër përparimit, Kosova vazhdon të mbetet në mesin e vendeve me “situatë problematike”, siç e vlerësojnë Reporterët pa Kufij.
Në këtë kategori radhiten edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, si: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina./Shqip.com