Lajme

Zëdhënësi i Qeverisë: Përkundër përpjekjeve për të eskaluar protestën, ajo ishte paqësore

Protesta kundër shtrenjtimit të rrymës.

Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, deklaroi se përkundër përpjekjeve për të eskaluar protestën e organizuar nga Partia Socialdemokrate lidhur me shtrenjtimin e rrymës, ajo ishte paqësore.

Për këtë, Kryeziu deklaroi se duhet falënderuar organet e rendit për profesionalizmin dhe durimin e tyre gjatë protestës.

Lexo edhe:
Lekaj i AAK-së pasi iu bashkangjit PSD-së: E vlerësoj lartë protestën dhe pjesëmarrësit

“Gjithashtu i falënderojmë qytetarët për mbështetjen ndaj qeverisë, teksa po angazhohemi që të zbusim sa më shumë ndikimin tek ta të krizës globale energjetike”, shkroi ndër tjerash ai.

Ndryshe, pasditen e së shtunës është mbajtur në sheshet e Prishtinës protesta kundër rritjes së çmimit të energjisë.

Me pankartat ”Ju e rrisni çmimin, ne rezistencën”, “Krejt rrogat në rrymë”, “Krejt dhe shtrenjtë”, “Lypëm dritë, gjetëm terr”, “Populli i bashkuar ka për të fituar”, protestuesit shprehën pakënaqësitë e tyre ndaj propozimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Rritja e çmimit të energjisë elektrike është paralajmëruar nga Qeveria për shkak se “Kosova po blen rrymë me çmime të larta dhe nuk po mund të plotësojë kërkesën me prodhimin e rrymës në termocentralet ‘Kosova A’ dhe ‘B’”.

Lidhur me këtë, ZRRE ka propozuar rritje të çmimeve për amvisëritë për 9 për qind, teksa Qeveria ka ndarë 75 milionë euro për subvencionimin e një pjese të faturave të energjisë.

Sipas propozimit të ZRRE-së, konsumatorët janë ndarë në pesë kategori: A, B, C, D, E.

Konsumatorët në kategorinë A, nëse gjatë një muaji shpenzojnë 300 kilovatë orë energji elektrike, çmimi aktual është 18.87 euro, dhe propozimi është që ajo të rritet në 29.66 euro, por që me subvencionimin e Qeverisë, fatura do të mbetet 27.37 euro.

Nëse jeni në kategorinë B, apo gjatë një muaji shpenzoni 450 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 27.37 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 29.66 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të mbetet e njëjtë: 27.37 euro.

Konsumatorët në “C” që do të thotë se shpenzojnë 600 kilovatë, çmimi aktual i faturës është 35.86 euro, e që me propozimin e ZRRE-së, fatura rritet në 38.92 euro, por që me subvencionimin e Qeverisë mbetet 35.86 euro.

Nëse jeni në kategorinë D, pra nëse gjatë muajit shpenzoni 800 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 47.19 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 74.17 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të jetë: 59.50 euro.

Nëse jeni në kategorinë E, që do të thotë se gjatë muajit shpenzoni 1000 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 58.52 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 109.42 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të jetë: 83.14 euro./SHQIP.com

Qytetarët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj propozimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për tarifat e reja të energjisë./SHQIP.com