Zbulohet “strategjia” e Bashës për parandalimin e grumbullimit të protestuesve në Tiranë

Disa orë para se të filloj protesta kundër tij, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka arritur i pari në selinë e partisë duke shkuar në zyrën e tij ku ka planifikuar një ditë normale pune me mbledhje si dhe takime, përcjell Shqip.com.
Ndërkaq, në parkingun e PD-së kanë nisur të afrohen një numër i madh veturash që janë parkuar njëra pas tjetrës, duke zënë kështu pjesën më të madhe të hapësirës, raporton ABC News.
Sipas raportimeve, kjo është cilësuar si një “strategji” e Bashës për të penguar grumbullimin e protestuesve para selisë së kësaj partie.
Kurse, nga ora 11:00, Basha ka thirrur takim me kryetarët e degëve në lidhje me kalendarin dhe masat për organizim të partisë në zbatim të vendimit të Kuvendit Kombëtar të 18 dhjetorit.
Ndërkohë në orën 12:00 ish-kryeministri Sali Berisha bashkë me mbështetësit e tij do të nisen drejt selisë për të mbajtur protestën kombëtare.
Ish-kreu i PD-së, Sali Berisha paralajmëroi protestë më 8 janar, pasi që kryetari aktual i kësaj partie, Lulzim Basha, nuk “iu bind ultimatumit për të liruar zyrën e tij më 5 janar”.
5 janari ishte dita e fundit e afatit të vendosur nga Berisha që Basha të largohet nga posti, pasi sipas tij u shkarkua me votën e lirë nga 4446 delegatë të Kuvendit Kombëtar të PD-së, të datës 11 Dhjetor dhe nga 44 mijë anëtarë të PD-së, që morën pjesë në Referendumin e Partisë Demokratike të datës 18 Dhjetor./SHQIP.com