Yll Buleshkaj – drejtor i ri i Agjencisë Kundër Korrupsionit

Ylli Buleshkaj është zgjedhur Drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit nga Kuvendi i Kosovës.
Ai mori 62 vota nga deputetët, nga 66 sa ishin në total, kështu duke “mposhtur” kundërkandidatin Visar Kransniqi, i cili mori vetëm dy vota.
Buleshkaj do të ketë mandat pesëvjeçar në krye të kësaj Agjencie.
Buleshkaj deri tash ka qenë drejtor ekzekutiv i Zyrës për Regjistrimin e Partive dhe Certifikim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Emri i tij mori vëmendjen e publikut pasi kjo zyrë pati rekomanduar që në zgjedhjet e shkurtit të lejohej certifikimi i kandidatëve që kanë probleme me ligjin.
Rekomandimi i tij nuk ishte marrë parasysh nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të cilët kishin vendosur që t’i largonin nga lista kandidatët që në tri vitet e fundit kanë pasur probleme me ligjin, duke përfshirë liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin. Ky vendim i KQZ-së ishte lënë në fuqi edhe nga Gjykata Supreme./SHQIP.com