Wigemark viziton Prizrenin, pritet nga Totaj

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, priti sot shefin e misionit të EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark, në një takim miqësor dhe përmbajtësor, të cilit fillimisht i bëri një rezyme të jetës shumë dimensionale të Prizrenit dhe tolerancën në të cilën jetojnë qytetarët vendës.
Me këtë rast u diskutua për forcimin e sundimit të ligjit, si parakusht për zhvillimin ekonomik, turizmin dhe mirëqenien, që është një prej prioriteteve të institucioneve lokale të Prizrenit.
Kryetari Totaj falënderoi Wigemark për vizitën dhe për diskutimin rreth perspektivës së Kosovës dhe rajonit në përgjithësi.
“Ka sfida në arritjen e objektivave por ka edhe përparim dhe zhvillim në të gjitha fushat e jetës. Megjithëkëtë, do të krijojmë kushte për mjedis të përshtatshëm për biznes që rrjedhimisht do të hapin vende pune për qytetarët e Komunës së Prizrenit”, u shpreh z. Totaj.
Ndërsa, shefin e misionit të EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark, falënderoi Kryetarin e Prizrenit, Shaqir Totaj, për pritjen e ngrohtë dhe shpjegoi se kjo është vizita e tij e parë zyrtare në Prizren me udhëheqësinë komunale.
“Jam në këtë qytet me traditë dhe sa herë që vij impresionohem me bukurinë e Prizrenit si dhe me shembullin që jep ky qytet për jetesë të përbashkët. Siç tha dhe Kryetari Totaj, na presin shumë punë në të ardhmen në mënyrë që të krijojmë ambient të sigurt për të gjithë gjë që ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të Komunës së Prizrenit”, tha me këtë rast z. Wigemark.
Në dyja palët u pajtuan për takime dhe bashkëpunime në të ardhmen.
/Shqip.com