Vulin: “Tanket fluturuese” që u sollën mbi Jarinje – ndër më të mirët në botë për sulm

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë thotë se tre helikopterët “Mi-35” të cilët u panë sot mbi Jarinje konsiderohen si një ndër helikopterët më të mirë në botë për sulm, për shkak të performancës së tyre.
“Helikopterët “Mi-35″, për shkak të performancës së tyre të lartë, konsiderohen në klasën e tyre si një nga helikopterët më të mirë të sulmit në botë, të destinuar për kryerjen e detyrave luftarake në të gjitha kushtet e motit dhe motit”, thonë nga kjo ministri, raporton ‘Novosti’.
Mediumi i afërt me presidentin Vuçiq, ka raportuar për patrullimin e helikopterëve serbë mbi zonën ku është edhe vija administrative në vendkalimin Jarinje, helikopterë këta të cilët quhen “tanke fluturuese”.
“Novosti” shkruan se këta janë avionë “Mi-35” të njohur më mirë si “karrocat e djallit” ose “kështjella fluturuese”, helikopterë modernë të prodhuesit rus.
“Derisa Policia e Kosovës po i vështronin në heshtje, serbët e tubuar e mirëpritën me zë të lartë shfaqjen e helikopterëve serbë mbi Jarinje”.
Shqip.com ka raportuar lidhur me patrullimin e fluturakëve serbë mbi qiellin e Kosovës, me ç’rast janë publikuar edhe video ku shihet një “provokim” i tillë.
Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, e ka cilësuar si kërcënim të drejtpërdrejtë për Kosovën nga Ushtria Serbe.
“Tre helikopterët ushtarakë serbë, të tipit ‘Gazela’, duket se kanë thyer Marrëveshjen e Kumanovës dhe marrëveshjen me NATO-në, sepse kanë hyrë në territor ku nuk guxojnë të hyjnë”, ka thënë Musliu për ATV. /Shqip.com