Vulin: Për ta ndezur luftën duhet vetëm një budalla – ai është Kurti

Ministri i Punëve të Brendshme në Serbi, Aleksandar Vulin, ka vazhduar fyerjet ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pas vendosjes së reciprocitetit me targat, transmeton Shqip.com.
Vulin ka thënë se për të filluar luftën është i mjaftueshëm vetëm një “budalla”, i cili qëndron në Prishtinë, duke aluduar kështu në Kurtin.

“Nevojiten të paktën dy persona për ta bërë paqen, ndërkaq për luftën mjafton vetëm një budalla, dhe jam i frikësuar se atë budalla e kemi në anën tjetër, ai ndodhet në Prishtinë dhe emri i tij është Albin Kurti”, ka thënë Vulini shkruan RTV.rs.
Sipas tij, Serbia ka arsye për t’u shqetësuar për shkak se “Prishtina u përpoq të pushtonte një pjesë të territorit tonë”.
Vulin tha se i takon Prishtinës që të bëjë lëvizjen tjetër në këtë drejtim.
“Serbët nga Brnjak dhe Jarinje nuk kanë ku të shkojnë, Shiptarët nuk kanë lindur atje, le të kthehen në Prishtinë, kështu që ne do të flasim për gjithçka. Dhe BE -ja ka treguar se nënshkrimi i tyre nuk vlen asgjë. A ka BE -ja kredibilitet për të vazhduar bisedimet?, nëse ajo vetë nuk e respekton nënshkrimin? A nuk e respekton Kurti BE -në apo BE -ja nuk e respekton veten? Në fund të fundit, nuk më intereson. Unë jam i interesuar të them – a ka një marrëveshje të Brukselit apo jo. Pastaj ka shumë gjëra të tjera, si serbët në gjyqësorin e Kosovës, serbët në policinë e Kosovës,” tha Vulin.
Kurse, mëngjesin e së shtunës është raportuar se një zjarr ka shpëthyer në ndërtesën e Komunës së Zubin Potokut.

Sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ky shpërthim i zjarrit është një akt kriminal me elemente terroriste i shkaktuar nga persona të dyshimtë.
Ndryshe, që nga e hëna, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të gjitha veturat që hyjnë nga Serbia, t’i zëvendësojnë target me ato të Kosovës, të cilat vlejnë 60 ditë.
Të pakënaqur për këtë, banorët e komunave veriore të Kosovës kanë bllokuar rrugën që nga e hëna, duke mos lejuar kështu të qarkullojë asnjë veturë.
Për të mbikëqyrur situatën, në këto pika kufitare janë vendosur Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës, të cilët disa herë kanë qenë të provokuar nga protestuesit serbë të cilët lëshonin këngë nacionaliste serbe./Shqip.com