“Vuçiq po bën spastrim etnik ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës

“Aleksandar Vuçiq po bën spastrim etnik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”.
Kështu ka deklaruar kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, teksa tregoi për procesin e pasivizimit të regjistrimit të adresave të shqiptarëve në këtë komunë, përcjell Shqip.com.
Sipas saj, Serbia nuk po e respekton marrëveshjen e vitit 2001, për rikthimin e shqiptarëve, por duke nxitur kështu vetëm largimin e tyre të mëtejshëm.
Lidhur me këtë çështje, ajo po kërkon që Qeveritë e Tiranës dhe Prishtinës të koordinohen për të mbrojtuar të drejtat e shqiptarëve.
“Vuçiç fshihet pas imazhit pro evropian por realisht ushqen krijimin e një Serbie autoritare që shkel të drejtat e njeriut. Fatkeqësisht po përkëdhelet nga Perëndimi për arsye gjeopolitike dhe gjeostrategjike”, tha Sinani për “Balkan Talks”.
Bëhet fjalë për rreth gjashtë mijë shqiptarë të cilët nuk rezultojnë më në regjistrat e Serbisë, proces për të cilin Sinani thotë se është më dinamik në Medvegjë, tashmë edhe në Bujanovc./SHQIP.com