Lajme

Vuçiq: Deri tani vetëm dy persona kanë ndërruar targat në RKS

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është deklaruar pas seancës që ka mbajtur ku ka mbledhur Këshillin e Sigurisë.

Siç raportojnë mediat serbë, në këtë takim u diskutua për situatën në Kosovë, mbajtjen e Europride 2022 sigurinë kibernetike në sektorin e energjisë.

Presidenti serb ka thënë se vetëm dy persona kanë ndryshuar targat çka, sipas tij, tregon që Kosova nuk mund të gjejë asnjë serb që dëshiron ta bëjë një gjë të tillë.

“Deri më datë 10 shtator në orën 8 të mëngjesit janë vetëm dy aplikime për ndërrimin e targave. Një person nga veriu i Kosovës nga Leposaviqi, anëtar i institucioneve shqiptare, dhe një nga jugu”, tha Vuçiq në fjalimin e tij për publikun pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë.

Lexo edhe:
Filloi procesi për regjistrimin e mjeteve nga targat ilegale në ato RKS

Më 1 shtator ka nisur rrjedhja e afatit dymujor për ndryshimin e targave ilegale në ato RKS.

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se në të gjitha Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve ka filluar ky proces, por deri tani nuk ka të dhëna se sa persona kanë ndërruar targat.

Këtë vendim, Qeveria e Kosovës e kishte marrë në mbledhjen e 29 qershorit të këtij viti dhe ishte planifikuar që të fillojë së zbatuari më 1 gusht.

Për shkak të tensioneve që u krijuan në veri të Kosovës vendimi i shty për një muaj me kërkesë të Bashkimit Evropian dhe SHBA-së.

Vlerësohet se 10.000 targa me akronime të qyteteve të Kosovës – sikurse PZ, KM, PR, UR e të ngjashme – qarkullojnë në veriun e banuar me shumicë serbe.

Qeveria ka argumentuar se qytetarët do të kenë afat prej dy muajsh për t’i riregjistruar makinat në targa RKS- Republika e Kosovës./Shqip.com