Lajme

Vrasja e 48-vjeçares nga bashkëshorti, protestohet në Skenderaj

Këtë të premte në Skenderaj do të protestohet kundër vrasjes së Lirije Qerimajt nga bashkëshorti i saj, Skender Qerimaj, në fshatin Llaushë të kësaj komune.

Protesta paqësore është organizuar nga organizata joqeveritare “Gratë Intelektuale të Drenicës”.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e kësaj OJQ-je, protesta nis në orën 12:00 nga sheshi “Adem Jashari”, për të vazhduar te Gjykata, ndërsa marshi përfundon para stacionit policor.

“Të dashur qytetare e qytetarë të komunës së Skenderajit, ju ftojmë që nesër, 7dhjetor, në ora 12:00 në Protestë paqësore kundër dhunës dhe vrasjes së grave!”.

“Ne dënojmë dhe protestojmë kundër vrasjes së djeshme të Znj. Lirije Qerimaj nga bashkëshorti në Llaushë të Skenderajit. Nisja  nga sheshi “Adem Jashari, për të vazhduar tek Gjykata ndërsa marshi përfundon para Stacionit të Policor”.

“Ne si gra kërkojmë dënim maksimal për dorasin. Protesta organizohet nga OJQ Gratë Intelektuale të Drenicës”, thuhet në njoftimin për media.

Të mërkurën e 5 janarit 48-vjeçarja Lirije Qerimaj dyshohet se është vrarë nga bashkëshorti i saj, Skender Qerimaj, në fshatin Llaushë të Skenderajt.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, në vend ngjarje është sekuestruar një armë dhe gjashtë fishekë, teksa i dyshuari pas intervistimit është dërguar në ndalim policor./SHQIP.com