Lajme

Vrasja e 21-vjeçares / Sveçla: Do të kujdesemi në zbardhjen e rrethanave dhe përgjegjësisë së secilit zyrtar

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është shprehur i tronditur nga vrasja e 21-vjeçares sot në Ferizaj dhe me rrethanat e krimit.

Sveçla tha se përkundër përpjekjeve për ta rritur sigurinë për vajzat dhe gratë, rastet si vrasja e sotme, sipas tij, janë thirrje për reflektim për të gjitha institucionet e për shoqërinë.

“Përgëzoj Policinë e Kosovës për reagimin e shpejtë në arrestimin e dorasit dhe do të kujdesem që të ndërmarrim gjithçka që na takon si Ministri e Punëve të Brendshme në zbardhjen e të gjitha rrethanave të rastit dhe përgjegjësisë së secilit zyrtar. Pavarësisht arrestimit të dorasit, është e domosdoshme sjellja e drejtësisë pa vonesë”, shkroi Sveçla.

Postimi i plotë:

Jam tronditur thellësisht nga vrasja e sotme, nga humbja e edhe një gruaje të Kosovës dhe nga rrethanat e rënda të kësaj vrasjeje mizore.

Përkundër përpjekjeve për rritjen e sigurisë për vajzat dhe gratë, rastet si vrasja e sotme, janë thirrje për reflektim për të gjithë ne, si institucione dhe si shoqëri.

Përgëzoj Policinë e Kosovës për reagimin e shpejtë në arrestimin e dorasit dhe do të kujdesem që të ndërmarrim gjithçka që na takon si Ministri e Punëve të Brendshme në zbardhjen e të gjitha rrethanave të rastit dhe përgjegjësisë së secilit zyrtar. Pavarësisht arrestimit të dorasit, është e domosdoshme sjellja e drejtësisë pa vonesë.

I shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta familjes së të ndjerës ndërsa të plagosurit i uroj shërim të shpejtë!

/Shqip.com