Vranë policin në derën e banesës! Kërkohet paraburgim për gjashtë të dyshuarit

Të hënën në Kaçanik, janë arrestuar gjashtë persona që dyshohen se kanë planifikuar dhe kryer vrasjen e rreshterit të policisë, Muhamed Lika.
Sipas Prokurorisë Themelore në Ferizaj, është kërkuar që këtyre personave t’u caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Të dyshuarit janë: H.B., R.M., V.Ç., E.L., Sh.K. dhe D.G., të gjithë nga Kaçaniku.
Sipas Prokurorisë, më 1 prill 2025, rreth orës 23:00, në rrugën “Idriz Seferi” në Kaçanik, të dyshuarit kishin ndjekur rreshterin Muhamed Lika pas përfundimit të orarit të tij të punës. Ai po kthehej në banesë kur, në hyrjen e ndërtesës ku jetonte, një i mitur nga grupi i dyshuar e kishte qëlluar me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes janë gjetur katër gëzhoja plumbash. Si pasojë e plagëve, polici ka humbur jetën.
Prokuroria thotë se të dyshuarit kanë bashkëpunuar dhe vepruar me qëllim për ta vrarë policin, dhe për këtë po hetohen për veprën penale “vrasje e rëndë”.
Që nga data 22 prill 2025, të dyshuarit ndodhen në ndalim prej 48 orësh, ndërsa pritet vendimi i gjykatës për paraburgimin e tyre.
/Shqip.com