Vonesa e BE-së në rajon shton apetitet ruse, thotë presidenti slloven

Aq më shumë vonohet procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor, aq më shumë rriten apetitet ruse në rajon, deklaroi presidenti slloven Borut Pahor.
BE-ja duhet të përshpejtojë proceset e saj zgjeruese me vendet e rajonit, bëri thirrje ai.
“Në këto ndarjet e reja gjeopolitike, Ballkani Perëndimor do të jetë pjesë e botës perëndimore. Por, kjo varet po aq nga Brukseli sa varet edhe nga vetë shtetet e Ballkanit Perëndimor”, tha Pahor, raportoi “Telma”.
Stërvonimi i procesit zgjerues përkthehet në shtrirje të ndikimit rus dhe ngritje përkatëse të apetiteve të saj, tha Pahor në konferencën e 13-të ambasadorëve në Ankara.
Pahor, i cili ka qenë më i zëshmi në BE rreth thirrjeve për dhënien e statusit të vendit kandidat për Bosnje-Hercegovinën, e përsëriti të njëjtën kërkesë.
Lufta e Rusisë kundër Ukrainës “minoi në thelb besimin tashmë të brishtë midis Perëndimit dhe Rusisë”, u shpreh ai.
Duke folur për marrëdhëniet “e mira” mes Sllovenisë dhe Rusisë, Pahor tha se vendi i tij “asnjëherë nuk është ndjerë i kërcënuar nga Rusia”, ndërsa “miqtë nga Evropa Lindore gjithmonë e përshkruanin Rusinë si një kërcënim të drejtpërdrejtë ose të tërthortë për sigurinë e tyre”.
Megjithatë, siç tha Pahor, lufta ndryshoi lidhjet e tyre me Rusinë.
Ai shtoi se me situatën aktuale të shkaktuar nga lufta, “zhvillimi i një ndarje të re në blloqe duket pothuajse i pashmangshëm”.
Kosova dhe Bosnja-Hercegovina janë të vetmet në rajon që nuk kanë marrë as statusin e vendit kandidat për BE.
Qeveria e Kosovës ka lajmëruar se deri në fund të vitit synon të aplikojë për anëtarësim në unionin evropian, pavarësisht faktit se janë pesë shtete anëtare që nuk e njohin pavarësinë e saj.
Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut vetëm kohëve të fundit BE u ka hapur negociatat për anëtarësim, kjo pas heqjes së vetos bullgare ndaj RMV-së.
Mali i Zi dhe Serbia kanë hapur negociatat vite më parë, dhe momentalisht Mali i Zi është më së afërti për anëtarësim.
Serbia njërën nga kushtet kryesore për anëtarësim në union e ka “normalizim e plot të marrëdhënieve përmes një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme”, e që kohëve të fundit me rezolutë të parlamentit evropian është shtuar edhe fraza “njohje reciproke”./Shqip.com