Von der Leyen: BE t’i dërgojë mesazh të qartë shprese Ballkanit Perëndimor

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, deklaroi të mërkurën se Bashkimi Evropian duhet të dërgojë mesazh pozitiv për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, që synojnë integrimin në BE.
Sipas saj, një ofertë nga Samiti BE-Ballkani Perëndimor do të ishte investim në rajon për vitet e ardhshme.
“Ne duam të dërgojmë një mesazh shumë të qartë dhe ai mesazh është se Ballkani Perëndimor i përket Bashkimit Evropian. Këto vende kanë bërë një rrugë të gjatë për kryerjen e reformave[…]Ende duhet bërë punë për shtetin e së drejtës, për pavarësinë e gjyqësorit dhe për lirinë e medias”, tha presidentja e KE-së.

Këto deklarata ajo i bëri në një deklarim për media, pasi arriti në samitin që po mbahet në Slloveni, mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në këtë samit po merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po ashtu u deklarua para mediave, me ç’rast bëri thirrje për liberalizim vizash për qytetarët e Kosovës dhe integrim në BE./SHQIP.com