Von Cramon kërkon hetim ndërkombëtar për zgjedhjet në Serbi

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka deklaruar se procesi zgjedhor në Serbi ka ndodhur nën hijen e parregullsive dhe shkeljeve demokratike.
Përmes një postimi në platformën X, Von Cramon ka bërë thirrje për një hetim të plotë dhe mbikëqyrje ndërkombëtare.
Duke qenë pjesë e delegacionit për vëzhgimin e zgjedhjeve, ajo ka raportuar për kushte të pabarabarta, keqpërdorim të burimeve administrative, blerje të votave dhe shkelje të fshehtësisë së votës.
Von Cramon ka theksuar se ka qenë dëshmitare në sjellje të organizuar të votuesve nga Republika Srpska dhe frikësim të votuesve, shprehur shqetësimin për standardet demokratike në një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Ne dëshmuam raste të sjelljes së organizuar të votuesve nga Republika Srpska dhe frikësimit të votuesve. Ne prisnim absolutisht standarde më të larta demokratike nga një vend kandidat për anëtarësim në BE. Nevojitet një mbikëqyrje ndërkombëtare dhe një hetim i plotë”, ka shkruar ajo.
Po ashtu, ajo ka thënë se Parlamenti Evropian është i gatshëm të ndërmjetësojë mes partisë në pushtet dhe opozitës në Beograd për të siguruar paqe në dialog dhe për të ulur tensionet.
Mandatin e deputetit shqiptar të vetëm në parlamentin serb e ka marrë Shaip Kamberi, ndërsa qytetarët nga Luginës së Preshevës, janë ankuar se u është pamundësuar pjesëmarrja në zgjedhjet e së dielës në Serbi, si pasojë e pasivizimit të adresave dhe marrjes së dokumentacionit.
/Shqip.com